Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është takuar këtë të enjte me presidentin rus Vladimi Putin.

Pas këtij takimi, i cili zgjati thuajse tre orë, Vuçiç është shprehur se ka pasur një bisedë miqësore me presidentin rus dhe se ishte dakord me Putin për çmimin e gazit.

“Ne kemi marrë një çmim të pabesueshme prej 270 dollarë në 6 muajt e ardhshëm, që të mos ndryshojë çmimi ynë, kemi një rritje të sasisë së gazit për 6 muaj”, është shprehur ai.

Po ashtu ai u shpreh se Putin premtoi se nuk do ta lërë Serbinë në baltë dhe se Rusia do të vazhdojë të ndjekë një politikë të përgjegjshme për të mbështetur ligjin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës dhe Metohisë.

“Biseduam për situatën në të gjithë rajonin, jo vetëm për disa territore. Unë fola pa mëdyshje për atë që po ndodh në rajonin tonë, pasi kemi nënshkruar dhe bashkëpunimin e mirë ushtarako-teknik”, është shprehur Vuçiç, ndërsa paralajmëroi se do të ketë gjëra më të mëdha lidhur me të ardhmen e Serbisë referuar fuqizimit ushtarak të Serbisë.

Gjithashtu ai konfirmoi se vitin e ardhshëm Putin do të jetë sërish në Serbi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb