Sulmi i pastër terrorist dhe vrastar serb dje ndaj forcave të rendit të Kosovës që shokoi dhe mobilizoi mbarë mediat në botë u gjykua nga autoritetet më të larta të Serbisë, si përgjegjësi e Prishtinës. Terroristë të armatosur deri në dhembe, të pajisur me mjete të blinduara hapin zjarr brenda territorit të Kosovës, ekzekutojnë një efektiv policie, plagosin dy të tjerë, por Vuçiç si Putini në masakrën e Buças në Ukraine, fajin ia faturon viktimës. Presidenti serb u shokua në televizionin serb N1 sesi forcat e e Kosovës patën paturpësinë të kundërpërgjigjeshin dhe të vrisnin tre serbët e armatosur.

Vuçiç vazhdon ende të jetojë me kujtimet e epokës së mentorit të tij diktatorit Millosheviç, kur shqiptarët që masakronin si bagëti duhet të vraponin dhe jo të kundërvepronin. Është përballja me këtë realitet kokëfortë të një Kosove e aftë të vendosë brenda 24 orëve, autoritetin e shtetit të saj brenda kufijve të saj që po e bën presidentin serb të humbasë arsyen siç e dëshmon në daljen e tij mediatike mbrëmë kur pretendoi se “është një nga ditët më të vështira për popullin serb dhe Serbinë”. Ditë e keqe për Serbinë ngaqë operacioni terrorist dështoi? Apo ditë e keqe ngaqë pas asaj që tha Vuçiç se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Kosova nuk mund të ribëhet më kurrë në jete të jetëve Serbi. Ne reagimet e shumta të artikujve që botuan gazetat në botë ndaj ngjarjeve në Kosovë dje, ishte ky i një francezeje në të përditshmen Figaro: “Amnnezia e Serbisë po na lodh vërtetë. U bënë 20 vjet që e dinë fare mire se shkëputja e Kosovës ishte çmimi që serbët duhet të paguanin për luftërat dhe masakrat kundra gjithë fqinjëve në vitet ‘90. I ndodhi Serbisë as më pak as më shume se ç’i ndodhi Gjermanisë naziste që humbi një pjesë të territoreve të saj pas 1945 si çmim i vuajtjeve që i shkaktuan të tjerëve”.

Por ndryshe nga Gjermania që kërkoi të falur dhe nuk ka kërkuar kurrë të rimarrë territore, Serbia vazhdon të injoroje përgjegjësinë e saj kolektive në masakrat e kryera në periudhën e Millosheviçit dhe kurrë nuk kërkon të falur. Më keq akoma, Serbia vazhdon edhe nën udhëheqjen e Vuçiçit të ushqehet me ëndrrën e ripushtimit të Kosovës. Është ky iluzion nacionalist kolektiv dhe agresiv i karikuar pa pushim nga klasa politike e Serbisë që çon në mënyrë të pashmangshme në aksione ushtarake terroriste si ato të djeshmet.

Këtij ligjërimi të rrezikshëm po i shtohen tani dhe dy justifikime të frikshme siç tentoi të bëjë dje Presidenti serb Vuçic dhe kryeministrja e tij Bernabic.

Fabula se serbët po i rezistojnë pastrimit etnik në Kosovë 

Jo vetëm që Aleksandër Vuçiç nuk e dënoi aksionin terrorist të paramilitarëve serbë dje, por e justifikoi atë me një paralelizëm të paturpshëm historik sipas të cilit serbët paskan të drejtë të veprojnë kundra regjimit të Kurtit, ashtu si iu lejua shqiptarëve kryengritja e armatosur kundra Serbisë në vitet ‘90. Ja çfarë deklaroi Vuçic mbrëmë në televizionin serb: “Kur Serbia ndërhyri në Drenicë për t’u treguar vendin atyre që kërkonin të shkëpusnin Kosovën nga Serbia, na u tha se ata (kosovarët e UÇK-së) ishin luftëtarë të lirisë. Kurse në rastin e serbëve sot flitet për terroristë” u shpreh sa me mllef aq dhe me dinakëri Vuçiç i cili nuk pushoi se mëshuari tezës se Kurti personalisht kërkon lufte.

“Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë, gjë që i detyron serbët e Kosovës të revoltohen sepse nuk pranojnë më të durojnë terrorin e Kurtit”, sipas Vuçiçit. Këto deklarata mbrëmë të Vuçiçit kanë vetëm një qëllim: të justifikojë trazirat me armë që mund të ndodhin sërish në të ardhmen me tezën se ashtu siç pretendonin shqiptarët të vetëmbroheshin nga Milloshevic, edhe serbët sot kanë të drejtën të vetëmbrohen nga shtypja e Kurtit.

Një ligjërim që vetëm nxit urrejtje ndëretnike në momentin kur liderët politikë duhet të kontribuonin për të qetësuar situatën. Në sinkron me Vuçiçin edhe kryeministrja e Serbisë Bërnabiç, hodhi menjëherë pas eprorit të saj të njëjtën tezë, atë të një provokimi që po zgjaste prej kohesh nga pala kosovare dhe që i detyron serbët të reagojnë edhe me armë.

“Kurti i trajton gjithë serbët si terroristë dhe kjo do të thotë se ai mund t’i vrasë të gjithë”, tha mbrëmë Bernabic. Ajo shtoi se edhe Presidenti Vuçic “denoncon një pastrim etnik dhe terror që pësojnë çdo dite serbët në Kosovë që nga fëmijët e vegjël deri te më të moshuarit. Po ndodh sot në zemër të Evropës, getoja e fundit në Europë dhe kjo s’duhet toleruar”, u shpreh kryeministrja e Serbisë si në një garë fjalësh me shefin e saj.

Deputetja britanike Alicia Kearns, e para që paralajmëroi se ç’do të ndodhte 

Fabula e dytë që u mundua të paraqiste mbrëmë dyshja e lartë e shtetit serb, Vuçiç dhe Bernabic është se Perëndimi krijoi këtë situatë duke e toleruar shumë Albin Kurtin. Sipas Bërnabiç KFOR-i mban përgjegjësinë se i hapi dritën jeshile Kurtit të vrasë serbë me justifikimin se janë terroristë. Por realiteti është pak ndryshe. Nëse KFOR-i apo Perëndimi do të mbanin ndonjë përgjegjësi për situatën e krijuar kjo lidhet vetëm me heshtjen e tyre ndaj një fenomeni tepër shqetësues qëdenoncoi në fillim të verës një deputete guximtare britanike, Alicia Kearns që kryeson Komisionin e punëve të jashtme në parlamentin britanik. Në korrikun e kaluar ajo denoncoi në parlamentin britanik me një guxim të rrallë sesi Serbia po dërgonte sasi armësh në veri të Kosovës duke i transportuar me ambulanca. Armatimet stokohen në kisha ortodokse në veri të Kosovës.

Ja deklarata e plotë deputetes britanike: “Për një kohë të gjatë është heshtur për grupet e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria britanike është megjithatë e mirë informuar për këtë nga dëshmitë e ushtarëve të KFOR-it që kthehen. Dëshmitë flasin për armë që hyjnë nga Serbia me ambulanca drejt kishave ortodokse serbe. Politikat tona të eksportit te armeve ndaj Serbisë janë po ashtu shqetësuese. Serbia rrëmbeu tre policë kosovarë, dhe pyetja shtrohet në mos Serbia përdor në këto operacione armët që ne i shesim. Duhet ndaluar eksporti i armeve ndaj Serbisë. I bëj thirrje qeverisë britanike që ta bëjë të qartë se Mbretëria e Bashkuar mbron sovranitetin territorial dhe demokracinë e Kosovës. Duhet zgjeruar mandati i KFOR-it që të luftojë kontrabandën e armëve dhe milicitë serbe në veri të Kosovës”, deklaroi kështu në korrik deputetja britanike Alicia Kearns. Vetëm dy muaj nga denoncimi i saj, ndodhi ajo që pritej të ndodhte, përdorimi i arsenalit ushtarak i ardhur nga Serbia nga grupet paramilitare serbe në veri të Kosovës kundra policisë së Kosovës.

Letra e hapur që mos të ndëshkohet Kosova, por Serbia e firmosur nga dhjetëra parlamentarë perëndimorë

Beteja tjetër politike që ndërmori Alicia Kearson ishte mobilizimi i homologëve të saj në mbarë vendet perëndimore në mbrojtje të Kosovës që po ndëshkohej nga Perëndimi. Në gushtin e kaluar 10 kryetarë Komisionesh të Punëve të jashtme në parlamentet e disa vendeve perëndimore duke përfshirë dhe Senatin amerikan si dhe rreth 60 deputetë nga të njëjtat parlamente nënshkruan një letër të hapur drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe sekretarit të jashtëm britanik James Cleverly. Midis të tjerash aty lexohet: “Qasja aktuale ndaj Serbisë nuk funksionon. Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara dhe të mos ndërtojë politika mbi Ballkanin duke u bazuar te Beogradi. Nevojitet ekuilibër dhe proporcionalitet ne qasje që do të thotë se nuk duhet ndëshkuar pala që respekton sundimin e ligjit dhe demokracinë. Kosova është një vend sovran me një demokraci funksionale”.

Në një interviste dhënë Euroneës Albania, Alicia Kearns si frymëzuese e letrës së parlamentarëve perëndimorë e qartësonte kështu qëndrimin e përgjithshëm të saj dhe të kolegëve të saj: “Kosova është partnerja jonë demokratike që ka pranuar të vërë sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë. Vuçiç nga ana e tij, ai të cilit i dhemb dora të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit me Kosovën, nuk e pati problem të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi në politiken e jashtme me Rusinë pas pushtimit të paligjshëm që kjo i ka bërë Ukrainës. Ndaj nuk është aspak e drejtë që të ndëshkohet partneri ynë demokratik Kosova, dhe mos të ketë pasoja për veprimet që kryen një vend autokratik si Serbia të cilës nuk mund t’i besohet”.

Fabula e asociacionit vazhdon, Edi Rama nuk duhet ta promovojë më

Si për t’u tallur edhe më shumë me Kosovën dhe Bashkësinë ndërkombëtare, Vuçiç bëri dhe këtë deklaratë mbrëmë në TV serb: “I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të formojë Asociacionin e Komunave Serbe. Të ketë policë serbë në veri të Kosovës që t’u përgjigjen kërkesave të komunave serbe. Vetëm kështu mund të pengohet që serbët të mos dëbohen nga shtëpitë e tyre dhe të parandalohen konflikte të mëtejshme”.

Në fatkeqësinë e djeshme në Banjska në veri të Kosovës, pati së paku një pasojë të mirë: kush  mund t’ia vërë tani më veshin përrallës se asociacionit që ëndërron Vuçiç? Terroristët serbë që nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës nuk hezituan të shkelnin ligjin edhe pse të ndodhur përballë forcave policore të Kosovës. Si mund të imagjinohet se me asociacionin dhe me policë serbë përballë, terroristët do të shndërroheshin në qengja dhe do ta pranonin pavarësinë e Kosovës?

Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Ekstremistët serbë herët a vone do ta bënin gafën e tepërt që do ta demaskonte një herë e mirë “Zajednicën”. Banjska ia çori maskën njëherë e përgjithmonë dhe Vuçiçit  duke e bërë të domosdoshme se ai duhet izoluar me të gjithë mënyrat nga faktori ndërkombëtar. Vuçiç jo vetëm që nuk shprehu asnjë distancim, por ai e çoi cinizmin në pikën kulminante duke deklaruar se ajo që ndodhi ishte skenar i Kurtit.

Dhe se fundi, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që kërkon të vërë në të njëjtin nivel Serbinë agresore me Kosovën e agresuar duke propozuar që të thirren në një konferencë ndërkombëtarë, duhet t’i lërë sofizmat. Ai duhet t’i kërkojë paraprakisht Aleksandër Vuçiçit të dënojë me ashpërsinë më të madhe terrorin në veri të Kosovës. Këtë duhet ta kërkojnë nga pala serbe edhe Borreli për BE-në dhe Blinken për SHBA-të. Ky është dhe shqetësimi më i madh i Alicia Kearn, heshtja e pakuptueshme ndaj Vuçiçit strumbullari i të gjithë situatës së krijuar në veri të Kosovës: “Shqetësimi më i madh që kam për situatën e krijuar në veri të Kosovës, shprehet deputetja britanike, është se nuk kam parë  asnjë udhëheqës perëndimor të ngrejë zërin për faktin se ka në veri të Kosovës grupe të armatosura, të financuara nga Beogradi të cilat kalojnë armë përgjatë kufirit dhe i fusin në Kosove çdo ditë. Kur banorë serbë të Veriut të Kosovës shprehin mos përkrahjen e tyre ndaj këtyre operacioneve paramilitare ata pësojnë kërcënime dhe gjejnë granata para derës së shtëpisë që synojnë t’i trembin. Këto grupe të armatosura serbë provokojnë për të tensionuar situatën. Përse çështja e këtyre grupeve të armatosura që mbështeten dhe financohen nga Beogradi nuk ngrihet në nivel ndërkombëtar?”. Përse Edi Rama nuk i ngre këto pyetje dhe nuk bën as një të dhjetën e përpjekjeve të një deputeteje britanike për të mbrojtur Kosovën dhe denoncuar agresorin? Kjo do t’i hante shumë më pak kohë e përpjekje sesa hartimi i një projekti Asociacioni që nuk i intereson më kujt…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb