SERBI- Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka takuar sot futbollistët e Kombëtares serbe pas fitores me Shqipërinë, mbrëmjen e së enjtes në Elbasan Arena. Mediat serbe shkruajnë se Vuçiç u ka thënë lojtarëve se i kanë kthyer besimin në sport.

“Jemi krenarë për fitoren. Më keni kthyer besimin në sport”, tha Vuçiç. “E vetmja gjë që priste Serbia, ishte të luftonit për flamur dhe ju e bëtë atë, ju arritët të bashkonit Serbinë. Jam me të vërtetë i kënaqur dhe i lumtur për fitoren tuaj”, iu është drejtuar Kryeministri lojtarëve.

“Mbrëmë e gjithë Serbia ishte e bashkuar, ne jemi krenar dhe të ngazëllyer për fitoren tuaj. Keni sjellë gëzim të madh në Serbi, Republika Srpska e sidomos në Kosovë dhe Metohi, të gjithë qytetarët e Serbisë, jo vetëm serbët, të gjithë gëzuan. Ju keni kthyer besimin në sport”, tha Vuçiç. (m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: