Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka kërkuar kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, që Greqia të mos e ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke theksuar se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë. Dy liderët u takuan në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka bërë të ditur presidenca serbe.

Vuçiç është shprehur se popullin serb dhe atë grek i lidh një miqësi e sinqertë dhe se është e nevojshme të punohet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Presidenti serb tha se e falënderon Greqinë për mbështetjen që i jep dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve. Në deklaratën e presidencës serbe thuhet më tej se Vuçiç e njoftoi kryeministrin grek edhe me problemet që kanë lindur pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për t’iu vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Mitsotakis, nga ana tjetër, tha se Greqia e mbështet dialogun, por konsideron se “veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë në të”. Mitsotakis po ashtu tha se Greqia nuk ndryshon qëndrim kur është në pyetje njohja e Kosovës. Greqia, së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb