Milan Radojçiç, një prej të dyshuarve të kërkuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç dhe shumë krime të tjera, është kthyer në Kosovë dhe ka dhënë mesazhin se do të qëndrojë për kohë të gjatë.

Nënkryetari i Listës Serbe u është drejtuar qytetarëve përmes një videomesazhi që e ka publikuar në Youtube.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, ka thënë Radojçiç.

Ky kthim me mesazhe të fuqishme nacionaliste të politikanit serb, i futur në listën e zezë nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar, vjen pak ditë pas acarimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rezultat i masave të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në dokumentacion dhe në targat e veturave ndaj Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i njohur si i afërt me strukturat paralele në Kosovë, të udhëhequra nga Radojçiç dhe Veselinoviç, reagoi me nervozë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës. Ai, foli me tone kërcënuese, në një konferencë që e organizoi me shpejtësi, ku tha se Kosova duhet të mendojë tre herë deri më 30 shtator para se të vazhdojë të mbulojë targat e automjeteve me emrat e qyteteve serbe.

Duket se Vuçiç ka gjetur mënyrën se si të hakmerret ndaj Kosovës për vendimet e fundit, duke përdorur Radojçiçin, i cili njihet si lider i strukturave kriminale në veri.

Mbetet të shohim se cilat do të jenë veprimet e ardhshme të Radojçiç, nën pretekstin e mbrojtjes së popullit serb nga terrori imagjinar, që nuk shihet askund dhe nga askush.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: