Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar të premten se do të vazhdojë të punojë drejt “delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës”.

Vuçiç ka bërë këto deklarata, teksa ka komentuar raportin e Parlamentit Evropian (PE) mbi përparimin e Serbisë drejt pranimit në Bashkimin Evropian, të miratuar një ditë më parë.

Presidenti serb e ka konsideruar raportin si “gënjeshtra të zhveshura”, duke shtuar se deputetët e bllokut evropian kanë “humbur në kohë dhe hapësirë”.

“Ata duket se kanë lexuar një raport nga 2011 dhe jo nga viti 2021,” u ka thënë presidenti serb gazetarëve, gjatë një vizite në rrethinën e qytetit Shabac.

Në këtë raport, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, dhe respektimi i vërtetë i të drejtave themelore në këtë vend, është element thelbësor për përcaktimin e ritmit të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian.

Lidhur me pjesën e raportit në të cilën PE ka shprehur shqetësim për “fushatën për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës”, Vuçiç tha se ai është krenar për këtë dhe se do të vazhdojë të punojë për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës “për inat të Parlamentit Evropian”.

Duke komentuar pjesët e raportit të PE, i cili përmend “mungesën e pajisjeve mjekësore” për luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe ekspertizën e pamjaftueshme të mjekëve në Serbi, Vuçiç tha se deputetët evropianë “kanë thënë gjithçka vetëm për veten e tyre” kur kanë miratuar atë dokument .

“Ne testojmë më shumë sesa 80 për qind e vendeve të BE-së dhe ata na dënojnë”, ka deklaruar ai.

Në raport janë shprehur shqetësime edhe në lidhje me funksionimin e Parlamentit të ri të Serbisë, i cili nuk ka opozitë parlamentare.

Deputetët evropianë kanë përsëritur rëndësinë e përafrimit të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke pasur parasysh që shkalla e pajtueshmërisë së Serbisë aktualisht është më e ulëta në rajon.

Serbisë i janë kërkuar rezultate “bindëse”, duke përfshirë hetime efektive në fusha të rëndësishme si, gjyqësori, liria e shprehjes, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mes tjerash është përmendur edhe se liria e medias po përkeqësohet dhe se përdorimi i gjuhës ofenduese, frikësimi dhe madje gjuha e urrejtjes po rritet ndaj anëtarëve të opozitës parlamentare, intelektualëve të pavarur, organizatave joqeveritare, gazetarëve, individëve me ndikim dhe anëtarëve të partive në pushtet.

Në mesin e çështjeve tjera, deputetët e PE-së kanë mirëpritur përparimin që Serbia ka bërë në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut dhe kanë inkurajuar Qeverinë serbe të ndjekë reformat strukturore në këtë fushë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb