Një kërcënim me bombë ka vënë sot në alarm autoritetet në aeroportin e Prishtinës.

Zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara, ka njoftuar se pasi është marrë kërcënimi udhëtarët dhe personeli janë evakuuar.

“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuuar. Ekipet emergjente janë në terren”, ka deklaruar ajo.

Policia e Kosovës ka njoftuar se kërcënimi është marrë rreth orës 16:00 dhe se janë marrë menjëherë masat për menaxhimin e situatës.

“Rreth orës 16:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Mediat e Kosovës raportojnë se alarmi ka qenë i rremë dhe se tashmë udhëtarët dhe personeli janë rikthyer në aeroport.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb