Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, duke folur në “News 24” për zgjedhjet që po mbahen në Kosovë, deklaroi se VV, Osmani, Haradinaj e pakicat duhet ta formojnë qeverinë.

“Nëse kjo prirje vazhdon, unë besoj se do të jetë e mundshme krijimi i qeverisë, nëpërmjet një bashkëpunimi mes Vetëvendosjes dhe AAK-së, gjë që AAK nuk e ka përjashtuar, po ashtu edhe minoritetet.

Për hir të numrave, unë besoj se do të bashkëpunohet me minoritetet, sepse duhet që të futen në qeveri, edhe me Kushtetutë është parashikuar. Krijimi i 2 të tretave unë besoj se do të arrihet. Besoj se Vetëvendosje, Osmani, Haradinaj dhe pakicat krijojnë qeverinë. Këtu hyn në lojë real politike”, tha Lauka.

Islam Lauka theksoi se çuarja e mundshme e Kosovës në zgjedhje të reja do të ishte vetëvrasje politike për shtetin më të ri në Ballkan. Ai shtoi se Kosova ka nevojë për qeveri stabile e të përgjegjshme.

“Nuk duhet të ndodhë më destabilitet politik. Papërgjegjshmëria ka bërë që Kosova të shkojë në zgjedhje dy herë, madje edhe në kushte dimri e koronavirusi. Kosova ka nevojë për qeveri të qëndrueshme e të përgjegjshme. Kjo është votë pro atyre që mbajnë premtimet, që janë në këtë rast Kurti e Osmani. Zgjedhjet e reja do ishin vetëvrasje politike për Kosovën, edhe kaq është humbur shumë kohë”, u shpreh Lauka.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb