Grupi Wagner, nje grup mercenarësh të cilët njihen edhe ushtria private e Putinit, janë ata të cilët kanë luftuar që në fillim në Ukrainë, në mbështetje të sulmit të Kremliit.

Megjithatë mesa duket edhe brenda grupit kanë nisur kundërshtitë dhe pakënaqësitë, situatë kjo jo e panjohur edhe për vetë ushtrinë e rregullt ruse.

Marat Gabidullin, ish-krahu i djathtë i themeluesit të grupit mercenar thotë se Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit, është një “rrezik për njerëzimin”.

“Prigozhin është një njeri shumë i rrezikshëm që nuk duhet nënvlerësuar. Ai është unik, shumë i pamëshirshëm, shumë i zgjuar dhe mendon në një shkallë shumë më të madhe se njerëzit e tjerë. Ai mund të jetë simpatik dhe të të bëjë për vete, por njëkohësisht mund të jetë arrogamnt dhe i pasjellshëm. Prigozhin, thirret rregullisht nga Putin për bisedime private dhe tani po kërkon të ndërtojë bazën e tij të pushtetit në politikë”, thotë 56-vjeçari.

Gabidullin, një vrasës i dënuar me burg në 1994, u bashkua me mercenarët pasi nuk mund të ishte pjesë e ushtirisë së rregullt ruse për shkak të të shkuarës së tij dhe dosjes kriminale.

Megjithatë Gabidullin u largua nga grupi i mercenarëve në 2019.

56-vjeçari shpreh se edhe pse janë një aset i çmuar për liderin rus, Putini nuk do të hezitojë për asnjë moment ta shkatërrojë në rast se ndjehet i kërcënuar nga grupi apo nga kreu i tij.

“Veprimi që nevojitet për të fshirë këtë grup Wagner do të zgjaste vetëm dy ditë. Për Putinin mjafton vetëm vetëm një klik dhe ata nuk do të ekzistojnë më”, tha ai.

The Times raporton se i pyetur nëse Prizoghin mund të jetë pasardhësi i Putinit, Gabidullin tha se kjo nuk mund të ndodhë.

“Ai nuk mund të bëhet president sepse nuk ka bazën e pushtetit për t’u bërë president. Pra, ai është në kërkim aktiv të njerëzve për të krijuar një bashkim dhe një mbështetje politike. Por ai padyshim ka ambicie politike”, tha ai.

Sipas ish pjesëtarit të Wagner, është Putin ai që i inicion më tepër bisedimet me Prizoghin, por thekson se mes tyre ka shumë pak besim, pavarësisht marrëdhënies së tyre të gjatë.

“A mund të krijohet një marrëdhënie miqësore në atë mjedis? Prizoghin është një lloj ndihmësi për Putinin. Ata janë të rrezikshëm, të dy, për njerëzimin”, tha ai.

Prizoghin është një person i njohur për brutalitetin e tij. Mizoria e tij u demonstrua së fundmi kur ai u gëzua për një video që përshkruante vrasjen me vare të Yevgeny Nuzhin, 55 vjeç, një anëtar i Grupit Wagner i cili dezertoi në Ukrainë.

Gabidullin tha se kënaqësia e dukshme e Prizoghin për vrasjen, ishte një përpjekje për të përforcuar autoritetin e tij.

“E gjitha u bë për të treguar se ata kanë ligjet e tyre që janë më të larta se çdo ligj. Është një lloj mesazhi i dërguar për të gjithë, për tradhtarët, duke reklamuar mundësitë se si ata mund t’i bëjnë gjërat”, tha ai.

Pavarësisht se është bërë i njohur për mizoritë e tyre të supozuara në Siri dhe Afrikë, Gabidullin tha se mercenarët e Wagner tani po bëhen më të pabindur ndërsa lufta po vazhdon në Ukrainë.

Mesa duket shkak për këtë është bërë edhe pagesa. Një rekrut i thjeshtë në trajnim paguhet 1000 £ në muaj, një mercenar në një zonë lufte 2000 £ dhe nëse merr detyra aktive 3000 £. Oficerët paguhen më shumë. Misionet e suksesshme të tilla si kapja e Palmirës nga Shteti Islamik në Siri u shpërblyen me një bonus individual prej 9,000 £ deri në 25,000 £ për një komandant.

“Grupi Wagner vepron jashtë ligjit. Ndryshe nga policia apo FSB, shërbimi i sigurisë së brendshme që pasoi KGB-në, atij i mungon një status ligjor formal. Kjo i jep asaj liri më të madhe manovrimi dhe mosndëshkim. Wagner është një simptomë e sëmundjes që infekton Rusinë. Vendet e tjera duhet të jenë të vetëdijshme se kjo është ajo që ndodh kur demokracia prishet. Ju përfundoni me Wagner – një kompani private ushtarake e cila është bërë një mjet i shtetit rus. Wagner po rekruton të burgosur për të shkuar në luftë në Ukrainë, sepse njerëzit më të mirë të tij kërkohen për operacione më të largëta. Prigozhin nuk do të fusë në luftë njerëz që janë veteranë. Wagner-it i duhen ata në Afrikë apo Siri. Mendësia e shtetit rus është se ju mund t’i vendosni kriminelët në fuqinë tuaj, në shërbimin tuaj. Jeta e tyre nuk vlen asgjë.

Forcat tona ushtarake nuk ishin gati për luftë. Në vendin tonë, nëse gjithçka do të ishte organizuar në mënyrë adekuate, askush nuk do të kishte menduar të përdorte Grupin Wagner në luftë. Do të kishte qenë ushtria që duhej të kishte luftuar. Grupi Wagner është më i ashpër se ushtria ruse, sepse anëtarët e tij janë veteranë të shërbimit aktiv. Ata kanë një bazë më të mirë sepse kanë parë veprime të vërteta ushtarake. Historia ime është një paralajmërim për Perëndimin – mos lejoni që kjo t’ju ndodhë juve”, përfundon ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: