Linda Yaccarino është zgjedhur nga Elon Musk si CEO i Twitter. Këtë e raporton Washington Post duke cituar disa burime.

Menaxherja ka dhënë dorëheqjen nga NBCUniversal dhe po përgatitet të marrë drejtimin e kompanisë që cicëron, duke hapur një kapitull të ri për platformën. Ardhja e saj mund të zbusë frikën e reklamuesve në Twitter.

Në vend të Yaccarino në NBCUniversal do të punësohet në mënyrë të përkohshme Mark Marshall. Yaccarino iu bashkua NBCUniversal në vitin 2011 dhe u ngjit në krye të divizionit të reklamave të kompanisë. Menaxherja ka marrëdhënie të gjata me departamentet e marketingut të kompanive të mëdha dhe, për këtë arsye, mund të jetë e dobishme për Twitter që po lufton me një rrjedhje reklamash.

Në orët e fundit, Wall Street Journal ka raportuar tashmë lajmin se Yaccarino është në bisedime për t’u bërë CEO e re. Edhe Elon Musk në Twitter tha se CEO i ardhshëm do të jetë një grua dhe do të marrë detyrën brenda gjashtë javësh.

Dhjetorin e kaluar, Musk nisi një sondazh në platformë për të pyetur përdoruesit nëse ishte e përshtatshme që ai të jepte dorëheqjen si CEO. 57.5% kishin votuar pro dorëheqjes së tij kundrejt 42.5% që e dëshironin ende atë në krye. Pronari i rrjetit social kishte premtuar se do të respektonte rezultatet e sondazhit, por nuk kishte dhënë detaje për kohën e dorëheqjes së tij apo as emrin e pasuesit të tij të mundshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb