Ndeshja mes Anglisë dhe Shqipërisë do të jetë historike për përfaqësuesen shqiptare të futbollit, pasi do të shënojë ndeshjen me më shumë tifozë të pranishëm në të cilën ajo do të marrë pjesë në historinë e saj.

Kuqezinjtë do të luajnë në “Wembley” me kapacitet të plotë, pasi është bërë e ditur se janë të shitura të gjithë biletat për këtë ndeshje. Biletat në shitje ishin nga 10, deri në 100 paund, por së fundmi Federata Angleze bëri të ditur se të gjithë ato që ishin nxjerrë në shitje për publikun e gjerë, janë shitur.

Kështu, stadiumi prej 90 mijë vendesh, rezulton të jetë në teori me kapacitet të plotë për sfidën ndaj kuqezinjve. Rekordi në stadiumin legjendar është 89974 persona në finalen e Kupës së Ligës në vitin 2008 dhe shifra të përafërta priten edhe për ndeshjen e kuqezinjve.

Gjithsesi, do të jetë ndeshja me më shumë tifozë në historinë e përfaqësueses shqiptare, e cila deri tani kishte luajtur në stadiume të mëdha, por kurrë me një kapacitet të tillë dhe me një prani të konfirmuar tifozësh kaq të lartë në numër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb