Xavi Hernandez dhe bashkëshortja e tij Nuria Cunillera kanë bërë një dhurim prej një milion eurosh në Klinikën Spitalore në Barcelonë me qëllim që të ndihmojnë në luftimin e koronavirusit.

Spitali kishte filluar një fushatë fondesh për të luftuar virusin, në mënyrë që të mblidheshin para për të blerë materiale mjekësore si dhe fonde për kërkime shkencore rreth koronavurisit.

“Falë kontributeve që marrin, ata mund të blejnë pajisje për personelin shëndetësor dhe pacientët”, tha vetë Xavi, duke u bërë thirrje të tjerëve që të solidarizoheshin dhe të dhuronin sipas mundësive.

Disa ditë më parë lojtarë dhe trajnerë, si Lionel Messi, Pep Guardiola dhe vëllezërit Alcantara – Rafinha dhe Thiago – kanë bërë dhurime financiare në luftën kundër koronavirusit.

Spanja është nga vendet më të prekura nga pandemia COVID-19, ku numri total i të vdekurve të regjistruar ka arritur në 11 744, shifër kjo e dyta pas Italisë.

Ndërsa numri i rasteve të konfirmuara zyrtarisht deri sot me koronavirus është 124 736 persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb