Nuk është një ndeshje e zakonshme. El Clasico zbret në fushë të dielën në orën 21.00 në Camp Nou, ku Barcelona do përballet me Real Madrid, në një 90 minutësh jo vendimtar por shumë të rëndësishëm për fatet e kampionatit.

Një triumf i Los Blancos hap llogaritë e titullit kampion, por në krahun tjetër, një sukses i katalanasve i ve kapakun përfundimisht La Ligas. Trajneri i Barcelonës, Xavi është shfaqur i qetë në konferencë.

“Real Madrid do të kërkojë të dominojë lojën, këtë bënë edhe në ndeshjen e Kupës. Por, unë nuk e planifikoj ndeshjen me mendimin se do të na dominojë kundërshtari. Kërkojmë të dominojmë ne nëpërmjet kontrollit të topit. Unë personalisht preferoj ta fitoj një ndeshje me rezultatin 4-0 ose 5-4, por çfarë problemi keni edhe nëse fitojmë 1-0 si në Kupë? Kupën e parë Europiane, Barcelona e ka fituar 1-0 me një gol të Koeman dhe nuk pati asnjë kritikë.

Kundër Realit e kemi treguar se luajmë mirë edhe me topin në zotërim, por edhe pa e pasur në kontroll atë. Nëse i bëjmë mirë të dyja, për mua nuk ka asnjë problem. Do të mundohemi të dominojmë dhe të kemi topin në kontroll pasi e pa pasur atë vuan shumë në fushë. Pres një Madrid ofensiv, kjo do të ishte më e mira edhe për ata. Megjithatë, Barcelona nuk e ndryshon stilin e saj”, përfundoi Xavi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: