TIRANE- “Xenia” është një fjalë që i ref erohet traditës greke, mikpritjes e bujarisë ndaj të huajve – përtej kësaj është titulli i një filmi grek kushtuar emigrantëve, veçanërisht atyre shqiptarë, në shtetin fqinj. Ai u shfaq të enjten në mbrëmje në Kinema Millennium, në kuadër të TIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.

Me regji të Panos H. Koutras, filmi i realizuar si bashkëpunim mes Greqisë, Francës dhe Belgjikës vitin që shkoi, tregon historinë e dy vëllezërve ‘emigrantë’ shqiptarë. Pas vdekjes së nënës, Dani 16 vjeç lë Kretën dhe i bashkohet vëllait të tij më madh, Odisesë në Athinë. Të lindur nga një nënë shqiptare me një baba grek të cilin ata nuk e kanë takuar kurrë, dy vëllezërit, të huaj në vendin e tyre, vendosin të shkojnë në Selanik për të kërkuar të atin, dhe t’i kërkojnë atij zyrtarisht t’i njohë si të bijtë. Rrugëtimi i tyre është plot të papritura, ndërsa njëri prej tyre është homoseksual.

Filmi, nuk i paragjykon shqiptarët: është një portret realist i vuajtjeve të emigrantëve, që gjenden të huaj jo vetëm në shtetin pritës, por edhe në shtetin nga kanë ikur. Neonazistët, paragjykimi ndaj homoseksualeve, dhuna e getove, vështirësia për punësim, vështirësia për të mbijetuar apo ajo e marrjes së dokumenteve kanë zënë vend në filmin “Xenia”, që u shfaq në Shqipëri nga TIFF.

Filmit të shfaqur e të vlerësuar në Kanë, nuk i mungojnë as frazat në gjuhën shqipe, ndërsa dy të rinjtë grekë që kanë interpretuar rolet, janë përpjekur të përcjellin edhe theksin e gjuhës. Të rritur me një nënë këngëtare dhe pa një baba, fëmijëria e tyre ka kaluar me këngët e Patty Bravos, me një baba në mungesë të quajtur i “paemri”, rinia dhe vetë jeta pas vdekjes së nënës është bërë e vështirë.

Armët, pijet, këngët, kërcimi, rreziku, sherret i lënë vendin njëri-tjetrit, ndërsa të rinjtë rreken të gjejnë një mënyrë jetese të pranueshme; ose në gjurmët e së ëmës këngëtare(përmes konkurseve të talenteve), ose duke marrë nga babai biologjik të ardhura. Udhëtimi i tyre kthehet në aventurë, por jo fundi. Me skenar të Panagiotis Evangelidis dhe Panos H. Koutras, në të interpretojnë aktorët: Kostas Nikouli, Nikos Gelia, Aggelos Papadimitriou, Romanna Lobach, Marissa Triandafyllidou, Yannis Stankoglou, ndërsa filmi është prodhuar nga “100% Synthetic Films et Wrong Men”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb