TIRANE

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka shpërthyer në lot, teksa i ka dhënë mesazhin e lamtumirës major Klodian Tanushit, i cili po përcillet sot për në banesën e fundit, pasi humbi jetën gjatë misionit të NATO-s në Letoni.

Gjatë fjalës së saj para familjarëve, ministrja është shprehur se major Tanushi iu ka lënë një boshllëk të madh gjithë familjarëve, por edhe kolegëve e vetë ministres. Ndër të tjera, Xhaçka ka zbuluar dhe amanetin e fundit të Tanushit, që është se “mbi interesat vetjake, duhen vënë interesat e shoqërisë.

“Fatkeqësisht dhimbja na u shtua përsëri, pas vdekjes së Zarife Hasanajt. Ndarja nga jeta e major Klodian Tanushit është aq e rëndë dhe aq e trishtueshme, sa është e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të qetësuar sado pak zemrat e familjarëve. Edhe pse mirënjohja dhe krenari është pa kufi, sërish nuk mund ta zbusim zemrën e bërë gurë të familjarëve të tij. Jemi pranë tyre. Është shumë e dhimbshme edhe për mua që e kam njohur nga afër këtë ushtarak dhe që besoja se do ia dilte mbanë. Ai nuk ia doli duke na lënë një boshllëk të madh bashkë me humbjen e pakthyeshme. Por, ai është një njeri i rrallë. Majori e përmbushi me krenari misionin e tij, duke sakrifikuar jetën. Majori na la amanetin e fundit “mbi interesat vetjake, të vëmë interesat e gjithë Shqipërisë”. Prehu në paqe të përjetshme heroi ynë, dëshmori më i ri i Atdheut”, tha Xhaçka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: