TIRANE

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria për publikimet e përgjimeve të dosjes ‘Xhafaj-Babale’, publikoi këtë të shtunë një komunikim telefonik mes dy personave të identifikuar prej tij si Fredi Alizoti, “dëshmitari i fabrikuar i qeverisë në proces”, dhe Drejtori i Policisë së Fierit, Albert Nushi.

Në bisedën që sipas Salianjit është pjesë e përgjimeve të prokurorisë personi i identifikuar si  Fredi Alizoti i ankohet Drejtorit të Policisë së Fierit se e kanë lënë në baltë, ndërsa ky i fundit i premton në fund se do t’i nisë një sasi lekësh.

Sipas Salianjit, komunikimi është zhvilluar më 08.06. 2018, kohë pasi Alizoti kishte dhënë dëshminë e rreme në Prokurori. Nga selia e PD-së, Salianji kërkoi nga Prokuroria t’i japë fund farsës.

Një nga personazhet e pretenduara të përgjimit, Fredi Alizoti pohoi pas publikimit të parë të përgjimit Babalja, se kishte luajtur rolin e Agron Xhafës, vëllait te ish ministrit të brendshëm agron xhafaj në komunikimin me Albert Veliun.

Fredi Alizoti është i vetmi që ndodhet nën masën e sigurisë arrest me burg për këtë cështje. Albert veliu ose ndryshe ‘Berti i Abesë’ ndodhet në Bruksel pas largimit nga Kosova. Atje ka kërkuar azil politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb