ELBASAN- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur hapur sot nga seanca parlamentare për ngjarjet në Elbasan, ku u godit nga krimi edhe policia.

Ai tha se ka kërkuar një analizë të detajuar jo vetëm të ngjarjes por edhe situatës kriminale në Elbasan dhe shkaqet e përplasjes mes dy bandave Çapja dhe Çela, duke artikuluar për herë të parë emra.

“Ngjarjet e fundit që lidhen me rendin dhe sigurinë publike të ndodhura në Elbasan. Ngjarje që më obligoi mua si Ministër i Brendshëm të informoj për sa vijon. Faktet kriminale janë të lidhura me ngjarje kriminale, vrasje apo tentativa vrasjesh që datojnë nga 2005, 2006, 2009, 2011 dhe 2016. Disa prej këtyre ngjarjeve kanë ndodhur jashtë. Për disa ka autorë të dënuar dhe të identifikuar. Por ka edhe shtetas që janë marrë si fajtor por janë liruar nga akuzat nga sistemi i kalbur i drejtësisë. Pa dashur të kaloj përgjegjësinë, dua të konfirmoj se qasja jo profesionale dhe jo sipas ligjit kundrejt këtyre ngjarjeve ka ndihmuar në vite në inkurajimin e veprimit kriminal nga këta kriminelë. Ngjarjet e fundit e Elbasanit janë rrjedhojë e veprimit në rritje të policisë së shtetit kundër veprimtarive kriminele. Kam urdhëruar analizën e plotë të situatës në këtë qytet. Kam urdhëruar drejtuesit kryesor të hetimit në Policinë e Shtetit të instalohen në Elbasan. Kam kërkuar një analizë të plotë që të nxjerr në pah shkaqet e vërteta të këtyre ngjarjeve kriminale të këtyre dy grupeve kriminale Çelajt dhe Çapjat”, tha Xhafaj.

Mes të tjerash Xhafaj tha se aktualisht Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po hetojnë.

“I kam kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtorisë së Standardeve që të analizojnë veprimet dhe mosveprimet e policisë. Kam kontaktuar personalisht drejtuesit e lartë të prokurorisë, dhe u kam dhënë atyre mbështetjen tim maksimale dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit, në funksion të zbardhjen së ngjarjes, dhe jo vetme të kësaj ngjarje. Në dijeninë time, prokuroria, aktualisht është duke zhvilluar hetime intensive të përbashkëta me Policinë e Shtetit, dhe është rasti që ajo të dëshmojë që është në lartësinë e detyrës. Problemet e policisë në Elbasan do jete pjesë e një analize të qartë për problemet aty. Nuk shfajësoj veprimet e mia apo gabimet e mia që mund të kemi. Reagimi ndaj veprimeve të policisë do jetë edhe më i madh. Ndaj ju kërkoj që ta mbështesni Policinë, pasi në pjesën më të madhe të saj është përbërë nga individë të ndershëm. Për këtë kërkoj mirëkuptim nga publiku. Pres edhe kritika. Pavarësisht se i konsideroj prematurë disa komente në media, por ne ndjekim me vëmendje gjithçka. Duhet të kuptojmë se si prokuroria që është organ përgjegjësi i hetimit dhe policia, që s’kanë thënë anën e vet të ngjarjes, por duhet thënë se ato nuk duhet të kenë të njëjtën pikë vështrimi që kanë, pavarësisht statusit. Krimi është i lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb