TIRANË- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka përshëndetur aksionin e fundit të operacionit “Forca e ligjit” që goditi një grup të strukturuar kriminal që operonte në Tiranë në fushën e kontrabandës me mallrat e akcizës.

Xhafaj shkruan në “Twitter” se disa operacione domethënëse po finalizohen në fushën e krimit financiar, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ministri i Brendshëm vlerëson bashkëpunimin me Prokurorinë e Tiranës.

Nga operacioni janë vënë në pranga 17 persona, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

STATUSI I XHAFAJT
Një tjetër goditje e “Forcës së Ligjit” ndaj një grupi të strukturuar kriminal që kontrabandonte mallra të ndryshme. Operacioni, meritë e strukturave kundër krimit ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. Bashkëpunim shumë i mirë me Prokurorinë e Tiranës.

Disa operacione domethënëse po finalizohen në fushën e krimit financiar, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Mbështetje logjistike dhe asistencë për strukturat policore kundër krimit ekonomik në muajt në vijim, për një hop cilësor dhe hetime efikase dhe proaktive në këtë fushë.

Vlerësim i veçantë për Policinë e kryeqytetit, që me gjithë ngarkesën e madhe ditët e fundit, me mbështetjen aktive edhe të Drejtorisë së Përgjithshme, kanë siguruar njëkohësisht rendin e qetësinë publike dhe vazhdojnë të dëshmojnë angazhim e rezultate të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb