TIRANE – Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti sot në Tiranë Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi. Ata diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe thellimin e tij. Dy ministrat kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror. Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta në fushën e kontrollit kufitar.

Ai do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, ku punonjësi i Policisë shqiptare kryen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësi i Policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës. Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjelltë. Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar.

“Pata sot kënaqësinë të pres në një vizitë zyrtare Ministrin e Brendshëm të Republikës së Kosovës, zotin Gashi, me të cilin patëm një bisedë shumë miqësore dhe konstruktive, për një vlerësim të bashkëpunimit të deritanishëm dhe projekteve të përbashkëta për të ardhmen. Njëkohësisht nënshkruam edhe një marrëveshje të rëndësishme që ka të bëjë me menaxhimin e përbashkët të sezonit veror. Besoj fort se midis dy Ministrive dhe dy Policive tona, do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim më intesiv në interes të popujve tanë, në interes të të gjithë shqiptarëve, në interes të sigurisë së vendeve tona, të rendit, qetësisë që iu ofrojmë njerëzve tanë, në dy anët e kufirit. Por besoj fort, edhe në interes së sigurisë rajonale është një kontribut i çmuar bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë shqiptare dhe forcave respektive të sigurisë,” tha Xhafaj.

“ E falënderova Ministrin për mikëpritjen dhe diskutuam për temat siç tha Ministri, të interesit të përbashkët, për mbarëvajtjen e sezonit veror për faktin se siguria është parakusht që njerëzit të jenë të lirshëm dhe të kalojnë pushimet sa më mirë. Gjithashtu në interes të diskutimit ishte sfida me të cilin lidhen të dy shtetet për parandalimin e rreziqeve dhe fenomenit me theks të veçantë të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Për parandalimin e këtyre fenomeneve, ne si dy shtete, kemi një bashëpumim i cili duhet intesifikuar dhe të reagojmë në kohë dhe të ndikojmë që këto fenomene të zvogëlohen.  Të dy shtetet deri tani kanë mposhtur rreziqet që ka në këtë drejtim, kemi qenë të suksesshëm. Megjithatë kjo nuk na bën të ndihemi të relaksuar karshi rreziqeve që mund të vijnë. Trajtova dhe fenomenin e lëvizjeve të mundshme të emigrimit të paligjshëm ku rajoni jonë është i prekur, si fenomen që tërheq pas vetes dhe probleme sociale dhe problemin e inkriminimit të grupeve terroriste që mund të jenë të infiltruara në këtë lëvizje dhe në këtë drejtim. Shprehëm mundësi dhe kapacitetet që kemi, që të përgjigjemi karshi këtyre fenomeneve,” tha Ministri Gashi.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: