Klubi i Vllaznisë ka menduar t’i motivojë edhe më shumë lojtarët në prag të ndeshjes me Partizanin, që do të luhet sot në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Fakti që shkodranët u kualifikuan në finalen e Kupës duke eliminuar pikërisht ekipin e kuq, bëri që presidenti Alban Xhaferi të premtojë një shpërblim për ekipin.

Fillimisht u lakua shifra e 10 mijë eurove në total për skuadrën, por “Panorama Sport” mëson se së fundmi klubi ka shpërndarë premion dhe ajo që është dyfishuar.

Pra, mësohet se 20 mijë euro kanë shkuar në xhepat e lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit teknik.

Ky është një motiv më shumë që kuqeblutë të kërkojnë një tjetër fitore ndaj të kuqve.

Atmosfera pozitive te shkodranët duket se po përçohet jo vetëm në seancat stërvitore, por edhe jashtë saj.

Drejtuesit kanë kërkuar që të mbajnë entuziazmin në skuadër dhe në këto ditë të muajit të Ramazanit, kanë kërkuar që të bashkojnë edhe më shumë ekipin.

Vetëm dy ditë më parë, presidenti Xhaferi ka shtruar një iftar për ekipin.

Ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë vetëm për lojtarët që agjërojnë, të cilët janë të shumtë te Vllaznia, por edhe pjesën tjetër të skuadrës, duke filluar nga stafi teknik, ai drejtues dhe administrativ i klubit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: