Taulant Xhaka sërish në stol te Bazeli. Për të dytën javë radhazi, zv. kapiteni i ri i kampionëve të Zvicrës nuk po gjen hapësirë në formacionin e trajnerit Viki për shkak të skemës së re 3-5-2 që ai po aplikon.

Megjithatë, edhe pa Xhakën, Bazeli arriti të fitonte në ndeshjen e javës së 3-të të Super Ligës zviceranë në transfertë ndaj Thunit me rezultatin 0-3. Mesfushori shqiptar u aktivizua vetëm në minutën e 83-të.

Nuk ka pasur hapësirë aktivizimi as për Burim Kukelin te Zyrihu. Në ndeshjen e zhvilluar në transfertë ndaj Luganos, e përfunduar me rezultatin 0-0, trajneri Uli Forte nuk e preferoi mesfushorin shqiptar, i cili ka qënë ndër më të mirët në fushë në dy ndeshjet e kaluara teksa është aktivizuar si qendërmbrojtës.

Armando Sadiku u aktivizua si titullar në ndeshjen e sotme të kampionatit polak të cilën Legia e humbi me rezultatin 1-0 në transfertën ndaj Termalica B-B. Sulmuesi i kombëtares shqiptare qëndroi në fushë deri në minutën e 72-të, pa arritur të ndihmonte ekipin e tij që të shmangte disfatën.

Bruno Telushi është aktivizuar si titullar dhe ka qëndruar në fushë për 90 minuta të plotë në fitoren 2-1 që Sllaven Belupo mori në shtëpi ndaj Cibalias, ndeshje e vlefshme për javën e 4-t të kampionatit kroat. Ndërkohë trajneri Kopiç nuk i ka dhënë mundësinë të debutojë ish-sulmuesit të Kukësit, Pero Pejiç, i cili e ndoqi të gjithë ndeshjen nga stoli.

Herdi Prenga luajti për 90 minuta të plota në fitoren 0-2 që Inter Zapresiç mori në transfertë ndaj Rudes.

Frederik Veseli humbi penalltinë që solli eliminimin e Empolit nga Kupa e Italisë. Skuadra e Serisë B u ndesh në shtëpi ndaj Renatës në fazën e 1/64. 90 minutat përfunduan me rezultatin 1-1, ndërkohë që pas kohës shtesë rezultati shënonte 2-2.

Skuadrat iu drejtuan 11-metërshave, të cilat prodhuan rezultatin 3-3 pas 5 gjuajtjes për secilin ekip. Veseli ekzekutoi penalltinë e 6 për Empolin duke e humbur, ndërsa kundërshtari i tij u tregua i saktë, çka bëri që skuadra e mbrojtësit shqiptar ta mbyllë shumë shpejt aventurën e këtij sezoni në Kupë. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb