TIRANE – Xhensila Pere dhe Fatjon Hysenbelliu mbeten ndër personazhet më të përfolur të edicionit të 8 të reality show-t “Big Brother”. Ata u njohën dhe u dashuruan brenda mureve të shtëpisë së famshme, dhe megjithëse spektakli ka përfunduar prej disa muajsh, kurioziteti rreth lidhjes së tyre vazhdon të jetë i madh. Kjo u kuptua më së miri disa ditë më parë, kur në rrjetet sociale u publikua një foto ku Fatjoni shfaqej me një vajzë bionde në krahë. Aludimet ishin të shumta, dhe po aq të shumta ishin edhe pyetjet e fansave besnikë të çiftit. Vetë Xhensila Pere i jepe sot përgjigje të gjithave. Në një komunikim nga Turqia ku ndodhet për të marrë pjesë në një spektakël bukurie, ajo sqaron për “Summer Pages” se kush është vajza që shfaqet pranë të dashurit të saj, si po shkon lidhja e tyre dhe çfarë planesh kanë bërë ata me njëri-tjetrin për të ardhmen.
Xhensila këto ditë po merr pjesë në një kompeticion bukurie në Turqi, si përfaqësuese e Shqipërisë, si po shkon, si të pritën atje?
Jam shumë e lumtur që zgjidhem për të dytën herë për të përfaqësuar Shqipërinë në kompeticione të rëndësishme. M’u bë një pritje shumë e mirë dhe organizimi është pothuajse perfekt dhe i kuruar në çdo detaj. Do të jetë një sfidë e fortë, por e bukur.
Kush po të shoqëron në këtë angazhim?
Për momentin jam vetëm, kusht i vënë nga produksioni. Por në netët finale do të më shoqërojë menaxheri im dhe padyshim i dashuri im, Fatjoni. Ishte pikërisht për këtë rregull që Fatjoni nuk më shoqëroi prej ardhjes sime këtu.
Cilat janë pritshmëritë e tua, mendon se do e fitosh kurorën?
Shpresa vdes e fundit. Përderisa ndodhem këtu, normalisht shpresoj në fitore. Por mbi të gjitha dua të përfaqësoj denjësisht Shqipërinë me një rezultat të mirë, ashtu si në Londër në “Miss World 2014”.
Në çfarë do të të ndihmonte ky titull, ke ndonjë projekt tjetër për më vonë?
Ky titull do të më ndihmonte për t’u njohur më shumë jashtë kufijve. Ky është edhe synimi im, të arrij të kem kontrata pune jashtë Shqipërisë. Por gjithashtu po mundohem të marr sa më shumë përvojë në fushën e organizimit të kompeticioneve të bukurisë, mbasi në shtator do të jem bashkëproducente në “Miss Universe Albania”.
Po pjesëmarrja në “Big Brother”, sa të ka ndihmuar? Ke marrë oferta për punë?
Për sa i përket pjesëmarrjes në reality show-n “Big Brother”, normalisht që të ndihmon në pjesën e popullaritetit. Domethënë njerëzit të njohin më shumë. Por për oferta pune akoma jo, duke qenë se tani është edhe periudhë pushimesh e ndërkohë është edhe pjesa e angazhimeve të mia. Të shohim në shtator se çfarë na ka rezervuar pjesëmarrja në këtë reality show.
T’i vetë çfarë ëndërron, ku do të doje të punoje?
Gjithmonë e kam shprehur dëshirën time të madhe për të qenë pjesë e televizionit dhe pse jo të jem pjesë e një emisioni. Por nuk mund të fsheh edhe dëshirën apo aftësitë që mendoj se kam në biznes.
Nga momenti që ike sa herë në ditë flet me Fatjonin?
Sa herë që unë kam kohë, ai është gjithmonë aty duke pritur telefonatën time. E njëjta gjë ndodhi edhe kur ai ishte me pushime po në Turqi bashkë me familjen e tij.
Xhensila nga mbrëmja e së hënës, në internet po qarkullon një foto ku i dashuri yt shfaqet pranë një vajze bionde për të cilën thuhet se është ruse. Kur e pe për herë të parë këtë pozë?
Këtë foto për të cilën ju flisni e kam parë disa kohë më parë. Dhe vajza që shfaqet aty nuk është ruse, ashtu siç aludohet. Ajo është një vajzë shqiptare dhe ish e dashura e Fatjonit.
Si u ndjeve kur e pe foton?
Kam qeshur. Asgjë më shumë.
Çfarë të tha Fatjoni pasi fotoja bëri xhiron e internetit?
Nuk kishte nevojë të më thoshte asnjë gjë. Thjesht u habitëm të dy se si përfundoi kjo foto në rrjetet sociale dhe se sa duan të hynë në mes të marrëdhënies tonë. Por nuk do t’ia dalin.
A e rrezikon ndopak kjo situatë marrëdhënien tuaj?
Absolutisht jo! Nuk do të lejonim kurrë që e kaluara të bëhet pjesë e së tashmes duke ndikuar në të ardhmen tonë. Nuk ka arsye të ketë krizë midis nesh. Ndjehemi shumë mirë me njëri- tjetrin dhe ndjenja jonë po rritet çdo ditë dhe më shumë.
Sa të ndikoi kjo situatë në angazhimin tënd në Turqi? Mendove të kthehesh për të sqaruar gjithçka?
Kam treguar që kur dua diçka, e marr gjithmonë. Nuk do të hiqja dorë kurrë nga një kompeticion i këtij niveli, për një “old photo”, e cila publikohet thjesht për pak zhurmë dhe për të provokuar lidhjen tonë.
Çfarë planesh keni bërë me njëri-tjetrin? Keni folur për fejesë?
Ne flasim për gjithçka me njëri-tjetrin. Qoftë për biznes apo projektet tona, qoftë edhe për ndjenjat që kemi. Por akoma jo për fejesë. Është ende herët.
I ke takuar prindërit dhe familjen e tij? Po ai tënden?
Akoma jo. Jemi ende duke shijuar ndjenjat tona jashtë shtëpisë së “Big Brother”, duke njohur çdo anë të karakterit tonë. Në momentin që do të jemi të vendosur për ta finalizuar lidhjen tonë, do të njihemi me familjet e njëri-tjetrit.
Xhensila e lumtur je me Fatjonin?
Jam shumë e lumtur! Me Fatjonin ndihem e plotësuar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: