NGA ENIDA HIMAJ*

Është një ndër banoret që ka shijuar më së shumti këtë “Big Brother”. Një nga vajzat më simpatike, që në krye të herës
kishte deklaruar se nuk ishte bërë pjesë e lojës për çmimin, por për famën. E duket se rrugës gjeti edhe dashurinë. Xhensila na ka rrëfyer për “Bluetooth”, se lidhja me Fatjonin nuk ishte në plan, por ndjenjat ndryshuan gjithçka. Pranon të sqarojë për publikun edhe skenat aq të diskutuara të dushit me të dashurin e saj, duke lënë të kuptohet se mes
tyre s’ka patur marrëdhënie seksuale. “Asgjë nuk është ashtu si duket”, është shprehur ish-banorja.
Ndërkohë çifti po e shijon shumë lirinë jashtë, edhe pse nuk po bashkëjetojnë, të dy po kalojnë kohë pranë familjes, duke i shpjeguar dhe gjithçka ndodhi mes tyre në “Big Brother”. Pa ndrojtje flet dhe për ish-të dashurin, duke mohuar akuzat se ishte ai që përgjigjej ekonomikisht për bukuroshen nga Pogradeci.

Prekët finalen e “Big Brother”, a u zhgënjyet që nuk fituat?
Normalisht të shkosh deri në finale shpreson dhe të fitosh. Por gjithsesi u ndjeva fituese dhe për këtë fakt, që isha pjesë e finales.

Çfarë mendoni se ju shndërroi në një finaliste? 
Duke qenë vetvetja gjithmonë!

A luajtët lojën që kishit menduar në “Big Brother”?
Po e luajta, sepse kisha një strategji shumë të thjeshtë, të isha UNË si në jetën e përditshme, reale dhe jo false.

A jeni penduar për diçka që ka ndodhur aty brenda?
Motoja ime është “Më mirë bëj diçka dhe pendohu sesa të pendohesh që nuk e bërë kurrë”. Deri me tani akoma nuk kam asnjë pendim, përveç faktit që u shqetësua familja ime.

Deklaruat se nuk do të lidheshit, por nisët një raport me Fatjonin, si e përshkruani lidhjen tuaj?
Është e vërtetë që kam deklaruar këtë gjë, por ishte një ndjenjë që lindi natyrshëm. Fatjoni ishte i vetmi vend paqeje dhe ngrohtësie. Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë sepse është parë 24/24 lidhja jonë.

Shumë ish-banorë kanë deklaruar se lidhja juaj ishte lojë, si i komentoni këto fjalë?
Duke qenë në një kontekst loje normalisht gjithçka merret si lojë, por është krejt e kundërta.

Si po ecën raporti juaj jashtë, a ka diçka të re që keni zbuluar jashtë për Fatjonin?
Fatjonin e kam njohur ndryshe nga banorët e tjerë dhe raporti jonë nuk ka ndryshuar.

I ka takuar Fatjoni familjarët e tu dhe e ka përsëritur ftesën për të bashkëjetuar?
Duke qenë të izoluar për 3 muaj, na duhen pak ditë për t’ju kthyer normalitetit dhe jetës së përditshme. Takimi nuk ka ndodhur akoma sepse i kemi lënë kohë njëri-tjetrit. Për familjarët dhe për t’ju dhënë një shpjegim për gjithçka ka ndodhur në “Big Brother”.

Shumë e nderë u duk marrëdhënia me Fatjonin ditët e fundit, a keni falur për fjalët e rënda që ju ka thënë?
Normalisht e kam kuptuar presionin e lojës, duke qenë pjesë e atij formati dhe të gjitha ato fjalë kanë mbetur brenda mureve të asaj shtëpie.

Mediat jashtë kanë shkruar për skenën e dushit, realisht kanë qenë vetëm puthje, apo ju të dy keni bërë seks?
Nuk besoj se ka nevojë për koment ajo skenë. Mund t’i japin ngjyrimet që duan, ose më saktë mund të shkruajnë atë që do të lexohet apo shitet më shumë.

Po raste të tjera a keni patur marrëdhënie seksuale me Fatjonin apo skenat janë keqinterpretuar?
Do të doja të flisja më shumë në lidhje me ndjenjat sesa mbi marrëdhëniet tona. Por do të shtoja që “Asgjë nuk është ashtu si duket”.

E shqetësuar dukeshit ditët e fundit për reagimin e babait dhe familjes, si ju kanë pritur, çfarë ju kanë thënë, a i ke zhgënjyer me lojën tënde në “Big Brother”?
Familja më priti me një buqetë me lule, gjë që më ka ngrohur shpirtërisht. Nuk mund të mohoj pjesën e shqetësimit të tyre, por mund të tregoj që e njohin guximin tim dhe aftësinë që kam për të mbajtur përgjegjësitë e mia.

Si iu duket atyre Fatjoni a e pëlqejnë si dhëndër?
Fatjonin e kanë parë si një lojtar të fortë brenda shtëpisë së “Big Brother”, ndërsa tani do të njohin një Fatjon tjetër, si një djalë që i fitoi zemrën vajzës së tyre.

Në “Big Brother” hytë e lidhur, pse vendosët t’i jepnit fund një marrëdhënie aty brenda?
Ishte diçka që lindi natyrshëm dhe ndjenjat nuk mund të komandohen.

“Rks 06” mbeti në memorien e publikut, pse vendosët të mos flisnit më shumë rreth tij kur ishit të lidhur?
Duke qenë një person që nuk i pëlqen televizioni dhe showbizi, respektova privatësinë e tij.

Banorët kanë komentuar se ish-i dashuri juaj përgjigjej për ju ekonomikisht, madje se ai ju kishte blere dhe shtëpinë, a është e vërtetë e gjitha kjo?
Këto janë thjesht fjalë dhe aludime. Gjithçka që unë posedoj është e imja dhe familjes.

A keni folur me të pas “Big Brother”, i keni sqaruar gjërat?
Akoma jo, sepse këto ditë i jam përkushtuar familjes sime.

A e ka problem Fatjoni marrëdhënien tuaj të mëparshme?
Ashtu si e thashë edhe pak më lart, lidhja jonë ishte diçka që lindi krejt natyrshëm dhe pasojë e një pëlqimi që u rrit e u kthye në një ndjenjë të vërtetë. Aty brenda ishim vetëm unë dhe Fatjoni.

I keni takuar familjarët e Fatjonit?
Akoma jo, jemi në fazën e çmalljes me familjarët tanë që e kanë ndjerë shumë mungesën tonë.

Për çfarë ju shërbeu ky “Big Brother”?
Ky Big Brother ka qenë një nga eksperiencat më të bukura në jetë. Më mësoi të përballem me karaktere që në jetën e përditshme ndoshta i evitojmë, më forcoi psikologjikisht dhe më njohu me një person si Fatjoni.

Ku do ta shikojmë Xhesin në të ardhmen, a keni plane për televizion?
Është pak herët për të folur rreth kësaj. Jam akoma duke pritur frytet e popullaritetit që më dha ky “Big Brother”. Por pse jo, bota e televizionit më ka tërhequr gjithmonë dhe shpresoj të jem pjesë e tij në vazhdim.
Si do të jetë vera për ty, a do ta shikojmë Xhensilën ‘hot’ në plazh me Fatjonin?
Një verë e bukur na pret …

Është dukur se ke më shumë ndjenja sesa Fatjoni për ty, a është i drejtë ky perceptim?
Femra gjithmonë ka ditur ta shprehë më bukur dhe më qartë atë që ndjen, por kjo s’do të thotë që ndjen më shumë sesa mashkulli përballë saj. Fatjoni di ta shprehë në mënyrën e tij.

 

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: