NGA ENIDA HIMAJ*
Futbollisti me origjinë shqiptare që ditët e para të mbërritjes së tij në Itali, tërhoqi vëmendjen për lidhjet me femrat e famshme. Megjithatë ai gjithnjë i ka mohuar këto thashetheme, duke thënë se jo të gjitha ishin të vërteta. Në intervistë e dhënë për ‘Bluetooth’ ai rrëfen të vërtetën për historinë me femrat e showbizzit Italian, edhe pse si një kavalier i vërtetë, nuk pranon të rrëfejë emra. Si një ndër emrat më të njohur të futbollit Italian ai tregon se një pjesë të mbështetjes e merr edhe nga tifozëria, që në Itali është më e çmendur, sipas Xherdanit. Të gjitha fanset e futbollistit mund të qetësohen, kjo sepse 24-vjeçari ka menduar të marrë si bashkëshorte një grua shqiptare, ashtu si tradita dhe familja e kërkon.
Xherdan si po të shkon karriera në Itali, a je përshtatur me vendin e ri?
Po kaloj shumë mirë në Itali, çdo ditë e më shumë po e shijoj vendin gjithashtu edhe futbollin e këtij shteti. Jam i lumtur që gjendem këtu. Deri më tani nuk jam penduar për vendimin tim dhe nuk besoj se do ta bëj dhe në ardhmen.
I ke njohur nga afër futbollistët e mirënjohur, çfarë marrëdhëniesh ke me ta, kë ke më shumë mik?
Patjetër që i kam njohur të gjithë nga afër, më është dhënë mundësia gjatë ndeshjeve. Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë ata, me disa më shumë e disa më pak natyrisht. Nuk kam ndonjë në veçanti mik, të gjithë më kanë mirëpritur dhe i kam miq të mirë.
Si të është dukur tifozëria, a ndryshon me atë të Shqipërisë?
Është komplet gjë tjetër tifozëria këtu. Ndoshta ka të bëjë edhe ekipi i madh që të dhuron edhe më shumë tifozë. Kam njohur njerëz që e duan skuadrën e tyre dhe nuk mungojnë në asnjë ndeshje. Ndryshe nga sa jemi mësuar të shikojmë në Shqipëri, këtu janë më besnik dhe e njohin më shumë futbollin. Tifozëria është më e çmendur këtu, të motivon.
E ke dëgjuar këngën më të re të kombëtares shqiptare, nga Elvana dhe Flori, si të është dukur?
Nuk kam patur akoma mundësi ta dëgjoj, kam ndjekur komentet rreth kësaj kënge po ende nuk e kam ndjekur. Besoj se është ndryshe kënga e një klubi të futbollit, me këngën e një kombëtareje. Është një peshë e madhe për një artist t’i vërë vulën këngës së një kombi.
I mban lidhjet me Shqipërinë, a e viziton shpesh, çfarë të pëlqen më së shumti në këtë vend?
Patjetër që i mbaj lidhjet. Nuk e kam mohuar kurrë dashurinë për vendin tim dhe pse kam jetuar për shumë kohë larg. Në Shqipëri kthehem sa herë që më jepet mundësia. Më pëlqen gjithçka këtu, që nga deti, njerëzit, tradita, gjithçka e quaj një pjesë timen.
Si i ke marrëdhëniet me femrat italiane, bëre “namin” që ditët e para në Itali?
Shumica e gjërave që shkruhen janë të pavërteta. Kam një marrëdhënie shumë të mirë në përgjithësi me femrat, natyrisht që edhe me ato italiane shkoj shumë mirë. Janë të kuptueshme, të qeshura dhe më pëlqejnë që kanë aftësi në komunikim. Kjo nuk do të thotë që unë kam bërë namin, apo jo?
Je tip ‘i one night stand’, apo je për marrëdhënie më stabël?
Si natyrë jam goxha me këmbë në tokë, më pëlqen të flirtoj, por kjo nuk do të thotë që jam tipi i një nate. Marrëdhëniet stabël janë ato që kam pasur deri më sot.
A duhet një futbollist në Itali të ketë të dashur një modele të famshme?
Nuk është e thënë. Një futbollist në Itali mund të ketë të dashur edhe një femër e zakonshme, mjafton të jetë ajo që unë po kërkoj.

Është e vërtetë që më shumë sukses kanë futbollistët e huaj në Itali?
Nuk e di të të them një përgjigje. Futbollistët përgjithësisht kanë sukses me femrat, si të huajt ashtu edhe ata vendasit. Nuk besoj se është kjo arsyeja e suksesit të ndonjë futbollisti.
Cila është femra më e famshme me të cilën ke pasur një lidhje?
Këto janë gjëra shumë intime që nuk mund ti them. Më takojnë vetëm mua dhe personit me të cilin e kam jetuar historinë.
Megjithatë je për një nuse shqiptare apo jo?
Do të më pëlqente që si bashkëshorte të merrja një shqiptare. Kjo është një dëshirë e imja dhe e familjes sime. Dua ti shkoj deri në fund traditës së vendit tim. Plus që femrat shqiptare janë shumë të bukura dhe inteligjente, pse jo.
Ku do ta njohësh një nuse shqiptare, duke qenë se je larg, do të pranoje të ta prezantonin të tjerët, me shkuesi i themi ne?
Do të preferoja që ta njihja vetë atë që një ditë do të jetë bashkëshortja ime e ardhshme. Duhet të kesh atë impaktin e parë me personin e zemrës. Ndaj mendoj që nusen do ta marr me dashuri dhe jo me shkuesi.

 

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: