TIRANË

Interpol Tirana ka kryer dje ekstradimin drejt Gjermanisë, të shtetasit Komron Zukhurov, 24 vjeç, lindur në Dushanbe, Taxhikistan.

Ky shtetas është kapur më datë 29.04.2020, nga Drejtoria e Antiterrorit, Tiranë, pas një punë investigative dhe falë shkëmbimit me homologët e antiterrorit në Gjermani.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi autoritetet gjyqësore të Gjykatës Federale në Karlsruhe, me vendim Nr. 2 BGs 245/20 datë 21.04.2020, kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Anëtar i një organizate të huaj terroriste” parashikuar nga Kodi Penal gjerman.

Rrethanat e ngjarjes:
Ky shtetas, së bashku me personat e tjerë të akuzuar, i udhëhequr nga një besim radikal fondamentalist, ngriti një qelizë në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë, me qëllim që të ndërmerrte ‘xhihad’ në emër të “IS”, në kuptimin e një lufte të armatosur kundër ‘jobesimtarëve’, në Gjermani dhe jashtë saj, me qëllim kryerjen e sulmeve në Gjermani ose Taxhikistan duke përdorur armë zjarri dhe eksplozivë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden/Gjermani u bë i mundur ekstradimi i tij drejt Gjermanisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb