TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi u thirr sot për të dëshmuar në prokurorinë e Tiranës lidhur me çështjen ‘Xhisiela’. Ai u paraqit në prokurori rreth orës 10:30, ndërsa qëndroi aty për disa orë. Emri i Bushit u lakua nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu, si një nga zyrtarët që ndikoi që çështja në fjalë të mos bëhej publike, pasi pas denoncimit të Xhisiela Malokut fshihej djali i deputetit të PS-së Rrahman Rraja, Rexhep Rraja.

Pak pas daljes nga ambientet e prokurorisë, Bushi dha edhe për një prononcim për mediat. Ai tha se emri i tij përflitet për shkak të baltës që ish-kryeministri Sali Berisha hedh ndaj tij. “Gjithmonë është përfolur emri im, është vazhda e baltës së hedhur të Saliut ndaj meje. Jemi mësuar me këtë pjesë (qesh)”, tha Bushi, ndërsa nuk dha detaje rreth dëshmisë së tij në prokurori.

Kujtojmë se dje djali i deputetit Rraja u la në burg, ndonëse kërkoi lirinë. E pranishme jashtë ambienteve të Gjykatës së Tiranës ishte edhe ish-e dashura e tij, Xhisiela Maloku, e cila bëri edhe ‘avokatin’ mbrojtës së Rexhepit, pavarësisht se denoncimi i saj e çoi atë pas hekurave.

Ajo tha se Rexhep Rraja nuk e kishte dhunuar dhe as përndjekur, dhe se ky sipas saj ishte versioni i vërtetë i ngjarjes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb