Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho, komentoi në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, situatën e krijuar nga koronavirusi në vend.

Xhixho tha se nuk duhet të vijojmë me kufizimet aq drastike, kur kemi një kurbë të sheshtë të infektimeve, pasi kufizimet rëndojnë edhe më tej situatën ekonomike, por shkelin edhe të drejtat e njeriut.

“Me ardhjen e pandemisë opozita u tregua shumë konstruktive për të mbështetur masat e OBSH dhe për të qenë pranë qytetarëve. Efektet e gjithanshme të kësaj pandemie padyshim që duheshin administruar me shumë përgjegjësi. Me shfaqjen e pandemisë nuk pamë testime massive për të parë edhe masën e infektimit të qytetarëve, por që të kishim dhe një menaxhim më të mirë të të infektuarve dhe të lironim njerëzit e tjerë. Të kishim një lirim më të shpejtë, pasi gjithë ky izolim ka prekur ekonominë. Zgjatja e fatkeqësisë natyrore deri në qershor është e paargumentuar. Nuk duhet të vazhdojmë me kufizime kaq drastike, kur kemi një kurbë të sheshtë. Pandemia nuk duhet të ndikojë në shkeljen e të drejtave të njeriut, por ne kemi kufizim të të drejtave të tyre.

Shohim skena jo të bukura dje në Sheshin Skënderbej, ku njerëzit po protestonin për Teatrin Kombëtar me të drejtë. Por edhe raporti i Freedom House vënë alarmin për shkeljen e të drejtave të njeriut, duke i dhënë më shumë pushtet ekzekutimit. Menaxhimi i pandemisë nuk duhet të cojë absolutisht në shkelje të të drejtave të njeriut. Tërheqja e Shqipërisë nga Konventa e të Drejtave të Njeriut është absolutisht një vendim jo i drejtë”, tha Xhixho.

Thirrja e Ramës për dialog dhe deklarata për legalizimin e kanabisit…
Thirrjet aspak të sinqerta të Ramës duhet të jenë reflektim për të plotësuar kushtet e BE për procesin e integrimit. Opozita nuk e ka shprehur me llafe kontributin për integrimin, por me fakte, duke u angazhuar për Reformën Zgjedhore dhe duke sjellë propozime konkrete në tryezë, të cilat nuk kanë marrë përgjigje nga qeveria.
Ne do të jemi një nga 15 vendet, që do të afektohen shumë nga kriza e koronës. Gjithë vëmendja e qeverisë do duhej të ishte tek ekonomia, që të mos dalim të rrënuar, por shohim një qëndrim të papërgjegjshëm për legalizimin e kanabisit.

Ka një shqetësim në rritje të bizneseve për pamundësinë e marrjes së garancisë sovrane, apo për paketat që nuk kanë shkuar te qytetarët, për të përballuar këtë situatë të vështirë. Ka një keqmenaxhim pa strategji për pandeminë, dhe kjo do të sjellë kosto ekonomike. Ne sugjerojmë që në mënyrë të menjëhershme të ndihmohen familjet. Gjithë të ardhurat të shkojnë te qytetarët dhe jo për tenderat sekretë. Të ndodhë kjo në kohë pandemie është pak të thuash që është çnjerëzore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb