Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho deklaroi se ndryshimet në Kodin Penal për pandemitë do të ndërmerren në shkelje të rekomandimeve të Këshillit të Europës.

Xhixho tha gjithashtu se, ndryshimet në Kod nuk mund të bëhen me procedurë të përshpejtuar, kjo bazuar në nenin 83/3 të Kushtetutës.

“Është një moment shumë i vështirë ky që vendi ynë po kalon. Të gjithë ne po mundohemi të zbatojmë në mënyrë rigoroze të gjitha rregullat e vendosura nga qeveria dhe rekomanduar nga OBSH. Nga ana tjetër besoj se e gjithë kjo situatë ka nevojë për shumë solidaritet nga të gjithë ne dhe ndihmë tek të gjithë njerëzit që kanë nevojë, sidomos tek mosha e tretë që janë të vetmuar. Dokumenti i fundit zyrtar i Këshillit të Europës për menaxhimin e pandemisë nga Shqipëria vë theksin që kufizimi i të drejtave e lirive të qyetarëve duhet bërë vetëm me ligj, si kundër ne e kemi të parashikuar në Kushtetutë në nenin 17 ku sanksionon qartë që “kufizmi i të drejtave të bëhet me ligj dhe në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë. Gjithashtu kufizimet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, standartet ndërkombëtare dhe të gjykohen nga Gjykata Kushtetuese”,- tha Xhixho.

Referuar rekomandimeve të KE, Xhixho thotë se, në situatë emergjence duhet të mbizotërojë Shteti i së Drejtës, pasi vlerat e Europës janë Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe Të Drejtat e Njeriut.
“Një tjetër rekomandim që jep KE është për parlamentin dhe rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë, pasi me menaxhimin e pandemisë dhe shpalljes së emergjencës civile, pushteti ekzekutiv ka marrë më shumë kompetenca, por KE vendos theksin se parlamenti nuk duhet të humbasin rolin e tij.
KE rekomandon se duhen shmangur marrja e masave penale ndaj qytetarëve. Dhe sot jemi në shkelje të këtij rekomandimi kur qeveria e parlamenti nesër kërkojnë ndryshimet në Kodin Penal. Parashikimi i të cilit shkon deri në 15 vite burgim për ata që përhapin sëmundjen ose thyejnë rregullat e karantinimit. Këto ndryshime të Kodit Penal nuk mund të bëhen në këtë mënyrë pa asnjë analizë dhe patjetër do duhet të përfshihet mendimi i ekspertëve të së drejtës penale, konstitucionalise dhe në një debat të gjerë me Shoqërinë Civile pasi cënojnë Të Drejtat e Njeriut dhe janë në kundërshitim me parimin e proporcionalitetit. Ndryshimet në Kod nuk mund të bëhen me procedurë të përshpejtuar, kjo bazuar në nenin 83/3 të Kushtetutës”.

Mendoj që në këto momente politika duhet të flasë më pak dhe ekspertët më shumë. Përvec problemeve shëndetësore, sociale, psikologje padyshim që edhe efekti ekonomik është ai që do na afektojë më shumë vendin tonë. Ndërhyrja e qeverisë duhet shumë më e fortë në mbështetje të biznesit të vogël por edhe të biznesit të madh, i cili padyshim që është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri. Sondazhet tregojnë se 88% e shqiptarëve nuk e ndjejnë veten pjesë të paketës ekonomike. Kufizimi për shkak të pandemisë ka sjellë që shumë familje të përballen me varfërinë, humbjen e vendeve të punës, si dhe me pamundësinë për të përballuar pagesat e detyrimeve të shumta ndaj shtetit, si ajo e ujit dhe dritave. Prandaj do thekosja që vetë paketa ekonomike është e pamjaftueshme dhe nuk sjell shpresë për rimëkëmbjen e ekonomisë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: