Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka prezantuar sot kryesuesen e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Sekretaren për Marrëdhëniet me Publikun në këtë forcë, Silva Caka.

Xhixho deklaroi se është një listë fituese që do t’i paraprijë fitores në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.

“Kam privilegjin dhe nderin që në emër të Kryesisë së Partisë së Lirisë të paraqesë përpara jush listën e kandidatëve tanë për Këshillin Bashkiak të Tiranës, një listë fituese që do t’i paraprijë fitores sonë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Listën tonë e kryeson një grua, një zonjë, një juriste, ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë, mikesha jonë Silva Caka, që pasohet nga Endrit Braimllari, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Floida Kërpaçi, ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetare e LRI-së, Tedi Blushi gazetar dhe qytetar i angazhuar, Ana Azaizaj Sekretare e Përgjithshme e LRI-së”, tha Xhixho.

Ajo theksoi se kjo është lista e cila do të bëhet publike dhe do të prezantohen të gjithë kandidatët tanë javën që vjen, ndërkohë që është plotësuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm dhe i domosdoshëm ligjor për të gjithë kandidatët tanë, për të qenë ligjërisht edhe pjesë e procesit të zgjedhjeve të 14 Majit.

“Kjo listë përfaqëson vlerat më të mira të grave, të vajzave, të intelektualëve të të gjitha fushave, të të rinjve duke qenë nesër zëri i çdo qytetari të Tiranës në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Parlamenti i qytetit pas zgjedhjeve të 14 Majit do të jetë më në fund në duart e qytetarëve të Tiranës, pasi koha e llogaridhënies po vjen, Çdo taksë që qytetarët e Tiranës paguajnë do të jetë në transparencë dhe në sytë e publikut. Parlamenti i qytetit do të jetë i hapur për zërin e qytetarëve të Tiranës. Tani kam nderin t’i jap fjalën, Silva Cakës, e cila drejton listën fituese tonën në Këshillin Bashkiak të Tiranës”, u shpreh Xhixho.

Nga ana e saj kandidatja për Këshillin Bashkiak, Silva Caka falënderoi të gjithë anëtarët e Kryesisë së Partisë së Lirisë, por edhe anëtarët më të thjeshtë të kësaj partie për besimin dhe për gjithë këtë përgjegjësi shumë të madhe që i kanë caktuar.

“Si bartëse e listës së Tiranës për Këshillin Bashkiak nga Partia e Lirisë ndërmarr një angazhim, por në emër edhe të gjithë anëtarëve ose kandidatëve të tjerë të kësaj liste, ndërmarrim një angazhim për tja kthyer Tiranën pikërisht atyre që u takon. Tirana u takon qytetarëve të Tiranës. Tirana nuk u takon uzurpatorëve. Tirana nuk u takon hajdutëve. Tirana nuk u takon korrupsionit, mafias dhe krimit të organizuar. Kështu që për këto arsye, japim garancinë e plotë se çdo anëtar i Këshillit Bashkiak nga Partia e Lirisë, çdo kandidat, të 62 kandidatët e kësaj liste, do të jenë zëri dhe njëkohësisht do të jenë dera e hapur për çdo qytetar që dëshiron ta ngrejë vetë zërin në Parlamentin e Tiranës. Në kushtet kur çdo gjë është e kapur nga një qeverisje e korruptuar, atëherë ti kthejmë këto parlamente nga parlamente moniste në parlamente të vërteta vendore, në zërat e vërtetë të qytetarëve të Tiranës. I ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që më 14 Maj të vlerësojnë një listë e cila përbëhet nga të rinj, nga gra dhe profesionistë të jashtëzakonshëm të Partisë së Lirisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që tia rikthejnë kryeqytetin, pikërisht vetë atyre. Ta rikthejnë tek vetja këtë qytet. Faleminderit dhe u uroj suksese të gjithë kandidatëe të Partisë së Lirisë”, tha Caka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb