14 detaje për jetën e tij për 14 milionë eurot e shpenzuara për të, janë ato që do të renditen më poshtë. Bëhet fjalë për Kristjan Asllanin, mesfushorin e ardhshëm të Interit, për të cilin vëmendja është maksimale në Itali dhe jo vetëm, duke na shtyrë të zbulojmë më shumë për jetën brenda dhe jashtë fushe dhe njerëzit që kanë ndikuar karrierën e deritanishme të 20-vjeçarit.

PASAPORTA – Kristjani ka lindur më 9 mars 2002 në Elbasan dhe është sot në pozicionin e mesfushorit, aty ku me 175 centimetrat dhe 68 kilogramët e fizikut të tij bënë gjithmonë t’i ndihet prezanca.

FËMIJËRIA – Kur ishte dy vjeç u transferua në Itali, në Buti, një zonë në Piza që e ka bërë të ndihet toskan dhe e ka lidhur edhe më shumë me fanellën e Empolit.

NDIKIMI I PRATALIT – Kur është fjala për Empolin, ndikim në zgjedhjen e tij ka pasur Françesko Pratali, një legjendë që ka numëruar 176 paraqitje me blutë. Kur Kristjani po kryente stërvitje e para dhe ra në sy të klubeve të ndryshme, ishte pikërisht Pratali që i këshilloi Empolin, siç ai ka treguar. “Më kërkoi një këshillë dhe i kam thënë të jetë pjesë e të rinjve të Empolit”, shprehej italiani.

MODELI “HYSAJ” – Nga një model te një tjetër, Asllani ka pasur edhe një shqiptar si pikë referimi tek Empoli, Elseid Hysajn. Shkodrani ka qenë pjesë e toskanëve për 7 vite që nga mosha 14-vjeçare dhe ka qenë një ndër protagonistët e kësaj skuadre duke fituar edhe adhurimin e të rinjve të rritur me të si Kristjani, që për mbrojtësin është shprehur: “Është një lider, dua të jem si ai”.

TRASHËGIMTAR I RIÇIT – Sot do të bëjë trashëgimtarin e Brozoviçit, por gjatë këtij sezoni iu desh të zëvendësonte Samuele Riçin që u largua në janar te Torino. Largimi i tij i dha të gjithë hapësirën e nevojshme shqiptarit në mesfushë, ku nuk zhgënjeu me 14 paraqitje si titullar nga 15 ndeshje të luajtura pas largimit të Riçit.

“VRAPON MË SHUMË SE TË GJITHË” – Ishte kjo fjalia që përdori Aurelio Andreacoli, ish-trajneri i tij për të përshkruar Asllanin për të cilin vazhdoi të thoshte: “I ka të gjitha për të qenë lojtar i rëndësishëm, pasi nuk gabon në asnjë ndeshje, impenjohet njësoj nga “Dall’Ara” në “San Siro”.

NUMRAT ME EMPOLIN – 23 ndeshje në Serinë A për Asllanin me një total prej 1466 minutash, gjatë të cilave ka shënuar vetëm 1 gol dhe ka dhënë edhe 1 asist. vetëm 2 kartonë të verdhë për mesfushorin gjatë kësaj kohe me një mesatare prej 11.05 kilometrash të përshkruara dhe 2.5 topa të rikuperuar për ndeshje.

GOLI NDAJ INTERIT – Në javën e tretë nga fundi, më 6 maj, Kristjani realizon golin që e dërgoi rezultatin në “San Siro” në 0- 2, duke mposhtur Handanoviçin dhe duke gjetur golin e parë dhe të vetëm në Serinë A. Edhe pse Empoli u përmbys 4-2, me Asllanin që do të vishet zikaltër, goli u duk një shenjë e fatit.

POZICIONI – 20-vjeçari ka luajtur 5 vite me të rinjtë e Empolit, ku ka bërë të gjitha pozicionet e mesfushës, madje duke treguar edhe nuhatjen për golin me 22 të tillë. Edhe nën urdhrat e Andreacolit ishte polivalent, duke kaluar nga regjia në rolin e fantazistit apo atë të mesfushorit të avancuar.

I PANDALSHËM SI BROZO – Përveç ngjashmërisë në rol, aftësia për të qarkulluar topin shkurt, ashtu si dhe për të vertikalizuar kujtojnë jo pak kroatin, shtuar këtu edhe kilometrat e përshkruara, që e lejojnë Iznagin ta bëjë gjumin e qetë për dublimin e Brozoviçit.

NGJASHMËRIA ME TORREIRËN – Nga fiziku dhe teknika, Asllani sjell ndër mend Lukas Torreirën, uruguaianin që po ashtu nuk shquhet për shtatlartësi, por është një organizator i zoti në ndërtimin e manovrës.

DEBUTIMI NË KOMBËTARE – Nën urdhrat e Edi Rejës, elbasanasi bëri debutimin ndaj Spanjës në një miqësore të marsit të këtij viti, duke marrë edhe vlerësimin e italianit. “Kam përshtypje të shkëlqyera për të, sespe është inteligjent dhe ka personalitet”, thoshte tekniku.

KAMPIONAT I FITUAR – Kampionati i para të rinjve 2020-2021 i shkoi Empolit edhe për meritë të Asllanit që në finale shënoi golin e parë në fitoren 5-3 kundër Atalantës dhe pati edhe një bilanc të përgjithshëm prej 9 golash dhe 4 asistesh në 25 ndeshje, paraqitje që e plotësoi edhe në muajt e parë të këtij sezoni kur me të rinjtë shënonte 3 gola në Europa Youth League.

“ASLLANI TJETËR” – Emanuel Asllani është një personazh i famshëm në “TikTok”, sidomos në Itali. Edhe ky shqiptar, por pa asnjë lidhje familjare me Kristjanin, Emanueli sot ka më shumë ndjekës se mesfushori edhe në “Instagram”, 300 mijë më shumë dhe tani Kristjani pret që firma me Interin ta japë efektin edhe në këtë drejtim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb