“Letrat për Dorin janë një bisedë me të. Dua t’i them që ia kemi dalë, dua t’i them që më mungon, dua ta shaj që iku… Unë e dua akoma… Askush nuk më kupton si ai”.

Xhuli Keko është një grua e bukur, me sytë blu, e flokët biond, ruan ende të qartë siluetën e studentes që u dashurua me një poet. Të rinj, shokë kursi, ajo e bukur, ai bohem. Pas një viti miqësi, ajo do të merrte një telefonatë nga Teodor Keko, që ishte një takim.

Të kapur përdore, shkuan drejt parkut pranë ish-Komitetit Qendror. U puthën për një orë e gjysmë dhe nuk u ndanë më kurrë deri në vitin 2002, kur Dori u nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Atëherë, bota e Xhulit u shemb. Pa Dorin, që e dëgjonte, që e kuptonte, pa Dorin që e njihte si askush tjetër, ajo nuk mund të ishte më njësoj. 18 vite më pas, në shtëpinë ku patën jetuar pranë “9 katësheve” Xhuli ulet në divan për të rrëfyer Dorin dhe letërsinë e tij.

Libri i Teodor Kekos me tregime e novela “Prostituta” është botuar në gjuhën angleze. Në një interviste për News24, bashkëshortja e shkrimtarit që u nda nga jeta në moshë të re, rrëfen kohën kur u shkruan dhe dashurinë e pazakontë me të.

“Libri ‘Prostituta’ u shkrua më 1996 dhe u botua më 1997. Njerëzit e ndalonin në rrugë për t’i marrë autografe. Përkthimi i librave të Dorit, dëshira ime. Ai shkruante herët në mëngjes, ulej në tavolinën e vogël rreth orës 5 të mëngjesit. I lexoj shpesh veprat e tij, sidomos poezitë. Kam nevoje t’i lexoj. As unë nuk e di pse, por e dua akoma Dorin. Nuk është kur më duhet dhe më duhet shumë”, thotë Xhuli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb