Uf, herë pas here, ditë e ki ametit ia beh në skajet kufitare të atdheut. Ajo do të na shfaroste, do të na fshinte nga faqja e dheut si të ishim një hiçgjë nëse Zoti nuk do na kishte puthur në ballë një e nga një ditën kur na solli xha Edin për të na qeverisur. Ai bëri zapt tërmetin. Teksa Shqipëria dridhej e shkundullohej nga lëkundjet, ai, si Herkuli, i vinte supet dhe mbante vendin të mos rrëzohej.

Me një dorë mbante malin të mos binte, me tjetrën herë pas here merrte tasin me ujë që i zgjaste Kumbaro për të njomur gjyrykun. Djersët i binin çurg, por vendi mbahej. Ato pak tulla, tjegulla, qepra që ranë i mblodhi si fletët e grisura të votimit dhe i futi në hejbe për t’i vënë në të duhurin vend plot marifet. E keqja nuk u ndal, pandemia u vërsul si bishë, por prapë vatani kishte heroin e vet. Përsëri xhà Edi heqim e shkuar heqimit e bëri tërbimet. Doli rrugëve dhe virusi fshihej si skuth vrimave.

Qiti ushtrinë në sheshe e sokaqe me helmeta e pushkë me gjalmë dhe i pushkatoi viruset anekënd, vdiqën gati 20 mijë veta po ç’janë ata në një betejë kaq epike?!

Njerëzia po merr frymë se e shpëtoi ai me receta e melhemera. Tani tjetër gjëmë, tjetër tmerr, tjetër kob, kriza energjetike, do vijë akulli e serotina, bryma e tufani, errësira e marazi. Por Shqipëria nuk është vetëm. Ajo ka pasurinë më të madhe, markën e vetme dhe shpëtimtare, xhà Edin!

Si fillrojtës do ngjisë fijet e këputura maleve me borë. Do t’i heqë kafshatën vetes dhe do t’ia japë fukarasë. Do presë dru mbi Surrel e do t’ia shpërndajë rajasë dhe ngarkuar mbi dyqind gomarë si dyqind petrita do t’i shpërndajë në kryeqytet.

Triko, çorape leshi, si anetë në operacionin e dimrit do bëjë qeveria mbledhjeve të gjata me shtiza ditë e natë që të veshet e mbathet gjindja. Tollume, çizme pelerina e guna do gjejë Niko me Arbenin në tregun e Roskovecit. Braçja, vajguri për kandila e, në qoftë nevoja, do të digjet vetë si qiri për të bërë dritë. Kur rripi të shtrëngohet ku nuk mban më, ministrushet e shumta fjalëpaka si bletë punëtore, por zemërdhembshura si priftëresha do dalin për të shpërndarë sadakanë kryeministrore.

Ashtu, mes ftohmës dhe acarit mbështjellë me setra të dhirta, dalin dhe trokasin derë me dere. Sipas fuqisë e takatit dhe lëshojnë në mes të odasë një kusi, torbë a thes mbushur plot me energji elektrike bash atëherë kur terri e nata duken të përjetshëm.

“Hape derën, hape!”. “Jo, jo,- ia kthen gjyshja nga brenda -ti je ujku dimër me dhembë të tmerrshëm”. “Jo, jo, jam kësulëkuqja, jam Bora, mos ki frikë gjyshe. Xhà Edi më ka porositur të të them hape dritaren, mos ki frikë, lëre diellin të të përqafojë”.

E mileti televizorin ndez dhe bamirësi shfaqet plot modesti e madhështi si njeriu që mundi të ftohtin duke sjellë ngrohtësi për xhanin kallkan, errësirën duke dëbuar për të sjellë dritë, nursëllëkun duke mbjellë shpresën e rilindjes.

Mjerë të tjerët që i bëri rrah tërmeti e spat kush ta ndalë, u shkatërruan ato vende u bënë rezil e helaq, pandemia që i theu në mes e nuk pat kush t’i ngjitë, acari e s’ka kush t’i përqafojë, errësira e s’ka kush t’i ndriçojë. Ne kemi xhà Edin, ai na mbron, ai na do, me atë dielli shkëlqen krenar mbi këto male kreshnike./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: