PSG nuk di të ndalët në Francë, për Messi-n me shokë, ndeshjet në Ligue 1 janë një “lojë fëmijësh”. Në vetëm dy ndeshje, të parat për këtë sezon, kanë realizuar plotë 10 gola. Ekipi i Galtier ishte me “5 yje” edhe përballë Montpellier, por këtë herë pësuan dy gola.

Neymar duket në formë fantastike këtë sezon, teksa realizoi një dopjetë. Nuk mungoi në këtë banket as Kylian Mbappe, ylli francez bëri gjithçka në këtë sfidë, humbi një penallti, detyrojë mbrojtësin të devijojë topin në portën e tij, ndërsa realizoi edhe një gol, të parin për këtë sezon.

Më shumë se sa për atë që japin në fushë, futbollistët e PSG komentohen për veprimet e tyre, jo sportive, që tërheqin shumë vëmendje. Mbappe thuajse gjatë gjithë sfidës nuk ishte i kënaqur me pjesën tjetër të ekipin, në këndvështrimin e tij nuk i pasonin. Një tjetër episod erdhi në minutën e 43-të, ku Neymar nuk e lejoi të gjuante penalltinë, pasi më herët francezi e humbi një të tillë.

Si të mos mjaftonte kaq, Neymar pëlqeu komentin e një tifozi në rrjetet sociale i cili shkruante se: “Mbappe është kthyer në pronarin e PSG pas rinovimit të kontratës”. Ky “like” i Neymar ka bërë xhiron në rrjetet sociale duke trazuar edhe një herë ambientin brenda klubit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: