Nga: Paolo MASTROLILLI

“Të drejtat dhe feminizmi: ylli amerikan i showbiz-it që ndezi ceremoninë e ‘Golden Globes’. Demokratët e ëndërrojnë kandidate për presidencialet në 2020, shkruan e përditshmja italiane ‘La Stampa’.

Oprah Winfrey kishte vetëm disa minuta që kishte përfunduar fjalimin me të cilin ndezi ceremoninë e çmimeve Golden Globes në Los Angeles kur dy ish-këshilltarë të Barack Obamës, David Axelrod dhe Ben Rhodes nxituan për të marrë në dorë celularët për të postuar në Twitter mesazhe identike që përmbanin vetëm një fjalë: “Oprah”. Nëse ndodh, mbrëmja e të dielës mund të futet në histori si nisja e fushatës së saj presidenciale për 2020.

Fjalimi i yllit televiz më të famshëm në botë preku temat e racës, bllokimin kundër informacionit të lirë, abuzimet kundër grave dhe shkoi shumë më tej duke shpallur se “një ditë e re po shfaqet në horizont”. Nuk e citoi asnjëherë Donald Trumpin por është e qartë se propozoi një vizion alternativ dhe të kundërt me atë të shefit të Shtëisë së Bardhë. Aktorja e famshme amerikane Maryl Streep shumë shpejt shpalli fillimin e garës për në Shtëpinë e Bardhë: “Ka filluar një garë. Shpresoj që do kandidojë. Nuk mendoja se donte ta bënte por tani nuk ka zgjidhje tjetër”. Partneri i Oprah, Stedman Graham, e konfirmoi për ‘Los Angeles Times’: “Varet nga njerëzit. Ajo absolutisht do kandidonte”. Të nesërmen, të paktën dy burime të afërta të Oprah thanë për CNN se “po e konsideron në mënyrë aktive kandidaturën”.

Oprah ka lindur në 1954 në Mississippi nga një nënë beqare që pastronte shtëpitë dhe u rrit në varfëri në Milwaukee. Ka studiuar dhe filluar karrierën si gazetare në Tennessee dhe Baltimorë por aftësia e saj për të transmetuar emocionet shpejt e drejtoi drejt karrierës së prezantueses së shfaqjes televizive dhe aktrimit.

“Oprah Winfrey Show” e bazuar në intervista dhe rrëfime tërheqëse me persona të famshëm dhe njerëz të thjeshtë e bëri të famshme në të gjithë Amerikën dhe të pasur, deri në atë pikë sa trashëgimia e saj personale vlerësohet të jetë rreth 3 miliard dollarë. Në të njëjtën kohë, është bërë shumë aktive në fushën e filantropisë, që nga ndihma për viktimat e uraganit Katrina tek shkollat e hapura në Afrikën e Jugut për vajzat, duke u përfshirë edhe në politikë për të mbështetur Obamën dhe Hillary Clinton. Sot është Drejtoresha Ekzekutive e kanalit kabllor ‘OWN’ dhe korrespondentja speciale e emisionit “60 Minuta” të televizionit CBS. Në kohën e lirë vazhdon të aktrojë në filma.

Por a mund të ketë me të vërtetë ambicie për në Shtëpinë e Bardhë?

Pikat e saj të forta janë të shumta. Ka një aftësi komunikuese unike, më të mirë se të presidentit Trump, si dhe mjaftueshëm para për të financuar vetë fushatën. Është me ngjyrë, grua, dhe vjen nga shtresat e ulëta. Kështu që mund të mbështetet në grupet elektorale që ndihmuan Obamën të fitonte, tradhtuan Hillary Clinton, dhe tani janë bërë akoma më të motivuar nga presidenca Trump. Njeh gjysmën e botës dhe gjysma e botës e njeh atë. Pikat e dobëta janë mungesa e eksperiencës politike, por në këtë drejtim nuk ngelet shumë prapa nga ku e filloi Trump, është lidhja e ngushtë me botën liberale të Hollywood-it.

Politikanët profesionistë demokratë do jenë duke u dridhur, sepse nga njëra anë nuk duan t’ia lënë vendin një të jashtmi, por nga ana tjetër në mënyrë të dëshpëruar kanë nevojë për një shpëtimtar të atdheut.

Dikush madje guxon se zgjidhja mund të jetë një ekip ëndrrash me Joe Biden kandidat për president dhe Oprah kandidate për zëvendës presidente, me angazhimin që Biden të rrijë në Zyrën Ovale vetëm për një mandat dhe pas katër vitesh t’i lërë asaj Shtëpinë e Bardhë, kështu që ajo do ketë eksperiencë të mjaftueshme për ta drejtuar vetë.

E vërteta është se fitorja e Trump e ka ndryshuar thellësisht politikën amerikane, duke shkatërruar paradigmat e vjetra. Oprah ka të gjitha aftësitë, ndoshta edhe më tepër, dhe përvojën personale të nevojshme për të ndërtuar, motivuar dhe zgjeruar bazën fituese të Obamës. Sidoqoftë duhet të përcaktojë një mesazh politik dhe të gjejë vendosmërinë e saj për të luftuar çdo ditë. Është e vështirë, por pas Trumpit, asgjë nuk është e pamundur.

(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: