Një nga yjet e Bolshoit, Olga Smirnova, u largua nga kompania për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe në vend të kësaj do të kërcejë për Baletin Kombëtar Holandez, sipas CNN. Lëvizja vjen pasi balerina e lindur në Shën Petërburg denoncoi pushtimin rus të Ukrainës.

Me anë të një deklarate, Baleti Kombëtar Holandez tha se Smirnova ishte “mirëpritur me krahë hapur”. Ajo pritet të bëjë debutimin e saj atje me vënien në skenë të baletit “Raymonda”, premierë në fillim të prillit.
Smirnova iu bashkua Bolshoit në vitin 2011, përpara se të merrte role kryesore në shfaqjet e “Liqenit të Mjellmave” dhe “Giselle”, ndër të tjera.

Që atëherë ajo ka bërë turne ndërkombëtare me trupën dhe është shfaqur si interpretuese edhe për Teatrin e Baletit Amerikan dhe Baletin Shtetëror të Vjenës.

Smirnova, gjyshi i së cilës është ukrainas, shkroi në Telegram se ”kundër luftës jam me gjithë shpirt”.

”Kurrë nuk e kam menduar se do të turpërohem nga Rusia”, thekson ajo.

“Kam qenë gjithmonë krenare për rusët e talentuar, për arritjet tona kulturore dhe sportive. Por, tani ndjej se është vënë një vijë që ndan para dhe pas. Kush do ta kishte menduar disa javë më parë se do të ndodhte e gjithë kjo? Ne mund të mos jemi në epiqendrën e një konflikti ushtarak, por ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj katastrofe globale”, thotë Smirnova.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: