TIRANË

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim thekson se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të konsolidojë reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit sepse do tërhiqte investime. E ftuar e Sokol Ballës në “Real Story” në New24, Kim tha se tri prioritetet e saj janë mbrojtja, demokracia, biznesi.

Sokol Balla: Rikthehemi në këtë pjesë të fundit të kësaj dite të pazakontë me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Znj. Yuri Kim. Kam qenë me të në disa prej etapave të ditës së saj sot, për të kuptuar më shumë dhe për të njohur më shumë personin tek i cili shumë shqiptarë investojnë shpresat dhe besimin e tyre për gjëra të rëndësishme që ndodhin në Shqipëri, sigurisht duke filluar nga reforma në drejtësi, ajo elektorale, dhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme për të ardhmen e vendit kështu që do ta mbyll programin me Zonjën Kim duke vazhduar sërish bisedën për mënyrën se si ajo e pa Shqipërinë sot këtu në Vlorë.

Sokol Balla: Zonja Ambasadore, jemi në hapat e fundit të vizitës tuaj këtu në Vlorë. Mendoj nuk është hera e parë që vini?

Ambasadorja Kim: Në fakt është hera ime e parë …

Sokol Balla: Vërtet…

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: Okay. Atëherë?

Ambasadorja Kim: Ka qenë një ditë e mbushur. Ka qenë mrekulli. Pata mundësi të takoja Kryetarin e Bashkisë. Pata mundësi të takoja disa klientë në hotelin ku po qëndroj. Ju ishit aty kur udhëtuam me anijen Butrinti në Pashaliman, me Ministren e Mbrojtjes.

Sokol Balla: Po, u nxiva ca atje.

Ambasadorja Kim: Në fakt je nxirë. Dhe pastaj pata mundësi të takohesha me disa të rinj në Këndin Amerikan dhe disa persona që kanë marrë pjesë në një program të USAID-it. Pra, ka qenë një ditë vërtet e mbushur, por mësova jashtëzakonisht shumë dhe jam e lumtur që erdha.

Sokol Balla: A vizituat ndonjë investim amerikan në Vlorë, ka ndonjë?

Ambasadorja Kim: Nuk jam në dijeni të ndonjërit tani, por siç e thashë, ia thashë edhe kryebashkiakut, mendoj se është e rëndësishme që Shqipëria të konsolidojë vërtet reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit sepse kjo do tërhiqte investime. Njerëzit nuk do të investojnë nëse nuk kanë besimin se ligjet do t’i mbrojnë të drejtat e tyre. Nuk do të vijnë nëse nuk kanë besim se nëse shkojnë në gjykatë nuk do të marrin dot një gjykim të ndershëm dhe transparent.

Sokol Balla: Okay. Këtë e kemi dëgjuar nga ambasadorët amerikanë për 20 vitet e fundit, por shpresoj që përpjekjet tuaja me reformën në drejtësi do ta ndryshojnë atë. Sepse e dini, nuk kam asgjë me serbët, meqë ra fjala, por kur sheh që Serbia ka marrë dy a tri miliardë dollarë investime, ironikisht, edhe unë do kisha marrë disa bomba që të kisha më shumë investime. Por gjithsesi, ndoshta sundimi i ligjit në Serbi është ndryshe nga këtu. Cilat janë investimet amerikane në këtë vend, atëherë, përveç atyre strategjike, ushtarake – më thatë që ishin rreth 180 milionë dollarë investime në fushën ushtarake.

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Cili është investimi kryesor amerikan në këtë vend?

Ambasadorja Kim: Investimi kryesor i SHBA…

Sokol Balla: Politik, ushtarak, njerëzor…

Ambasadorja Kim: Mendoj që kemi një investim shumë të gjerë në Shqipëri. Fillon me marrëdhënien ushtarake. Siguria është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kemi qenë këtu duke mbështetur zhvillimin e Shqipërisë si demokraci, duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës së Shqipërisë, për shembull infrastrukturën e saj shëndetësore; kemi furnizuar shumë qindra miliona dollarë gjatë 20 viteve të fundit. Megjithatë, ajo që do të doja të shihja është investimi siç e kuptojnë shumica e njerëzve, që do të thotë biznese amerikane. Shumë e rëndësishme.

Sokol Balla: Dhe e thatë këtë në fjalimin tuaj në Senat, apo jo?

Ambasadorja Kim: Saktë, pikërisht.

Sokol Balla: Një nga tri pikat kryesore që përmendët atje.

Ambasadorja Kim: E saktë.

Sokol Balla: Dhe në fakt më pëlqeu shumë sepse është hera e parë që një Ambasador i SHBA vjen me atë lloj agjende, sepse mendoj se paraja ndryshon gjithçka, investimet ndryshojnë gjithçka…

Ambasadorja Kim: Pra kam tri prioritete: mbrojtja, demokracia, biznesi. Dhe për të arritur tek investimet e biznesit, duhet të keni sundimin e ligjit. Duhet të keni një ndjenjë të zbatimit të kontratave. Pyetët për vende të tjera më parë. Dua të përqendrohem tek Shqipëria dhe mendoj se ka rëndësi të pranojmë disa faktorë për Shqipërinë, përfshi shkallën. Është një treg i vogël ndaj realiteti është që do të duhet të punosh më fort për të tërhequr investime se sa ekonomitë e mëdha, apo jo? Sepse tek ekonomitë e mëdha, është e qartë se pse duhet të jesh atje. Mendoj se Shqipëria nuk është aq e qartë. Por detyra ime këtu është t’iu them investuesve amerikanë: nëse vini, ne do mund t’ju ndihmojmë të bëni para këtu, do t’ju ndihmojmë të krijoni vende pune në Amerikë dhe të krijoni vende pune në Shqipëri. Pra, ky është qëllimi im.

Sokol Balla: Thatë se një nga pikat në agjendën tuaj është edhe demokracia. A është shqetësim real? Duhet të shqetësohemi vërtet? Sepse akuzat që dëgjojmë dhe dëgjojmë edhe raportet e medias, kur vjen fjala tek mashtrimi zgjedhor në vend. E dini, nuk jam naiv, kam parë gjëra këtu që nga 1991 ndaj e di që një vote këtu mund të shitet dhe mund të blihet. Por pastaj opozita e ka ngritur aq lart nivelin e diskutimit, çka mendoj e ndihmon zgjidhjen e çështjes më shpejt, por nuk jam i sigurt nëse akuzat e bëra publike janë apo jo në atë shkallë. A ju shqetëson kjo?

Ambasadorja Kim: Nuk jam në pozitë për ta gjykuar këtë, por mund të them që OSBE ka hartuar një numër rekomandimesh, ODIHR pra, siç e dini. Janë pjesë e kërkesave që Shqipëria të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Dhe, në këtë drejtim, po, ka hapësira ku duhet përmirësuar, dhe mendoj ë marrëveshja e 5 qershorit e ndihmon Shqipërinë të ecë përpara në atë drejtim.

Sokol Balla: A mendoni se, një nga gjërat që ka ndodhur këtu është se kushdo ka humbur zgjedhjet, nuk i ka pasur punët mirë me rezultatin. Disa nuk i njohën, të tjerë i njohën por i kundërshtuan më vonë, dhe ka ndodhur me socialistët në opozitë dhe me demokratët në opozitë. A mendoni se paketa e dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit do të hapë një epokë të re për këtë, që kushdo humb zgjedhjet faktikisht e pranon rezultatin?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është një hap përpara në atë drejtim. Nuk mund të bëj parashikime se çfarë do të bëjnë njerëzit faktikisht, por mendoj se keni elementët që do të lejojnë zgjedhje më të lira dhe më të ndershme, diçka që votuesi shqiptar mund të ketë besim. Pra, të shohim ku do përfundojmë.

Sokol Balla: Nuk ka mbaruar ende, siç thoni ju, apo jo?
Ambasadorja Kim: E saktë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb