TIRANË

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka folur në “Real Story” në News24 edhe për Kosovën dhe rolin e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor. Kim mohoi se SHBA-të e kanë humbur fokusin tek rajoni dhe theksoi se ka një fokusim të ripërtëritur tek Ballkani Perëndimor.

Sa i përket mosrealizimit të takimit Kosovë-Serbi në SHBA, ambasadorja Kim shprehet se gjërat ndodhin ndaj le të shohim ç’do të ndodhë në javët dhe muajt e ardhshëm.

Sokol Balla: Kjo nëndetëse këtu është gjithashtu një pjesë e historisë dhe përfaqëson një të shkuar për të cilën nuk jemi shumë krenarë. Dua të them prania e Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik këtu, komunizmi. E dini, në këtë kohë ndryshimesh, edhe në politikën amerikane, duket se Shtetet e Bashkuara e kanë humbur disi fokusin tek rajoni. Kështu është?

Ambasadorja Kim: Nuk jam në një mendje me ju. Nuk jam dakord. Ka një fokusim të ripërtëritur tek Ballkani Perëndimor dhe se çfarë do të thotë të kemi një prani të SHBA këtu. Dhe mendoj se do shihni që kjo do të vazhdojë. Nuk është rastësi që kemi disa persona të fuqishëm të përqendruar tek Ballkani Perëndimor, përfshi Matt Palmer dhe Rick Grenell. Dhe do të vini re që Ambasadori Grenell u largua nga pothuajse gjithçka përveç çështjes së Ballkanit dhe mendoj se kjo flet për rëndësinë që ne i japim.

Sokol Balla: Në fakt, të jem i sinqertë, e di që nuk jeni…, e di që ambasada e Kosovës do të fliste më shumë, por dështimi i realizimit të takimit të parë në Uashington, në fakt i tremb shqiptarët sepse duket sikur e shohin si dështim të politikës së Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

Ambasadorja Kim: Mendoj që …

Sokol Balla: Apo mendoni se nuk ka mbaruar?

Ambasadorja Kim: Mendoj që është ekzagjeruar, po. Ta quash një dështim është keqkarakterizim. Gjërat ndodhin ndaj le të shohim ç’do të ndodhë në javët dhe muajt e ardhshëm.

Sokol Balla: Një gjë që nuk e kuptoj vërtet është se pse keni dy të dërguar për të njëjtën gjë. Pse një të dërguar nga Presidenti dhe një të dërguar nga Departamenti i Shtetit? A janë e njëjta gjë apo ndonjëherë?

Ambasadorja Kim: Për ta sqaruar. Të dy përfaqësojnë Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Të dy janë në degën ekzekutive. Dhe mendoj se shumë njerëz e kanë përdorur shumë këtë, por do të vija në dukje se për çështje të rëndësishme, nuk është e pazakontë të kemi më shumë se një të dërguar. Kështu 10-15 vjet më parë, kur punoja mbi Korenë e Veriut, për shembull, kishim dy persona, e njëjta gjë. Një person ishte në gradë më të lartë, i cili punonte për Gadishullin Korean në përgjithësi dhe pastaj kishim një person tjetër që punonte për çështjen bërthamore të Koresë së Veriut. Pra, nuk është e pazakontë.

Sokol Balla: Sa e rëndësishme është Shqipëria kur vjen fjala tek pikëpamja ushtarake, për Shtetet e Bashkuara?

Ambasadorja Kim: Mendoj që për ne, është shumë e rëndësishme. Secili aleat me të cilin jemi krah për krah në NATO është i rëndësishëm.  Për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë e shumë miliona dollarë, tek marrëdhënia dhe tek përpjekja për të përmirësuar kapacitetet e Shqipërisë si aleate. Mendojmë se janë para të shpenzuara mirë. Kur shohim kontributet e ushtrisë Shqiptare, të forcave Shqiptare, madje duke përfshirë edhe sakrificën e jetës hera-herës, jemi krenarë të jemi aleatët tuaj. Mendoj se deri tani, kemi ofruar mbi 180 milionë dollarë në asistencë për mbrojtjen, vetëm në pak vitet e fundit. Dhe mendoj se do të shohim që do të vazhdojë dhe do të kemi më shumë nga kjo … dhe më pak nga ajo.

Sokol Balla: Po?

Ambasadorja Kim: Po!

Sokol Balla: Edhe kur vjen fjala tek influenca, apo jo, sepse kjo është shumë e rëndësishme?

Ambasadorja Kim: Absolutisht. E dini, Shqiptarët nuk kanë nevojë për leksion nga askush për historinë. Ju e njihni mirë dhe mendoj se e dini shumë mirë se kush janë miqtë tuaj dhe tek kush mund të mbështeteni kur gjërat vështirësohen.

Sokol Balla: Shpresoj të jeni ju.
Ambasadorja Kim: Patjetër që jemi ne

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb