NGA OSMAN STAFA*
Kanë mbetur edhe pak ditë vere, e disa muaj viti, por e ngrohta e kësaj vere, është më e nxehtë, gati në djegëse, për normalitetin e pretenduar për mua e njerëzit e tjerë. Ligje të debatueshme, paralajmërime për reforma, paralajmërime për protesta, zgjedhje, pastaj akoma terr në jug, pronarë hotelesh që iu duket “tallje bithe” kur iu kërkon ujë për t’u larë.

Nga fundi, edhe ca kanabis në Dukagjin e Tepelenë, që po del më shumë se Lazarati. Por mbi të gjitha këto, ajo që po më tremb është ikja gati e pandalshme dhe e furishme e shqiptarëve, e shokëve të mi, drejt tokës së premtuar Europiane, Gjermanisë.

Mjaftoi një shkëndijë e vogël në muajt e fillimvitit 2015 dhe sot thuajse nga cdo cep i Shqipërisë filloi eksodi i viteve 2000. Shqiptarët sërish nxorrën në shitje çfarë kishin dhe nuk kishin: dikush një makinë, dikush tokën, dikush shtëpinë, dikush lopën, dikush …, vetëm për të siguruar paratë për një biletë për në Gjermani.

Askush nuk e mendoi dy herë, askush nuk mendoni se po nisej drejt së panjohurës. Të paktën atje kishin një fije shpresë, kundrejt së pashpresës së këtushme.

Për më teper, pjesa më e madhe e kesaj mase ikanake, u bënë të rinjtë, e ardhmja e këtij vendi. Jam i ri, një gazetar 23 vjeçar, që sapo ka hedhur hapat e parë në këtë profesion tejet të vështirë. Puna më ka bërë të kem shumë miq, thuajse nga çdo vend i Shqipërisë.

Shume prej tyre tashmë ndodhen në kampet e Gjermanisë, në pritje të enigmës mbi të ardhmen e jetës së tyre.

Të rinj nga Shkodra, Elbasani, Kukësi, Korça, Librazhdi, Gjirokastra, Pogradeci, Lushnja, Fieri, Lezha, Puka, Burreli, Vlora, kanë braktisur tashmë vendin dhe arsyeja është e thjeshtë, për një jetë më të mirë.

Ndoshta po të ma kishte thënë edhe mua dikush tjetër këtë informacion, nuk do ta besoja, do ta trajtoja si një legjendë urbane, përderisa Ju e mohoni ikjen masive. Por janë miqtë e mi, shokë dhe shoqe më të cilët jam rritur, komshinj, të afërm, kushërinj, të cilët sot janë në Gjermani, atje në një kamp rrethuar me mister, të pagarantuar për ekzistencën, në pritje për të zbuluar të “nesërmen” e tyre.
Arsyet? Të bëhemi serioze…nuk mund të mohohen, nuk mund të bëhen sikur nuk janë…ose siç Ju pëlqeni ta thoni: “Nuk mund të fshihen pas gishtit”. Nuk mund të përballonin shkollimin e tyre, për shkak se pedagoget kanë ngritur “pazarin” tashmë për provimet. Eshtë më keq për vajzat, ku sekserët seksuale (pedagogët), kërkojnë ryshfet “plaçkën”, për të mundësuar kalimin e vitin. Kjo praktikë është shumë e përhapur në Elbasan. Askush nuk mund të flasë atje, sepse kanë frikë se mund t’u digjet ajo pak shpresë që mbartin në vete, për të ardhmen e tyre.

Por edhe nese i “paguajnë” këto provime nuk kanë siguri që nesër do të kenë një punë.
Ndoshta Ju nuk keni informacion, por drejorët Tuaj nëpër institucione, kërkojnë 3 mijë euro, “pa lëviz”, për një vend pune. Ka të tjerë më “zemërgjërë”, të cilët (konkretisht) për një vend pune, infermiere, kërkojnë teserën e partisë suaj. Janë studentë që kanë shpenzuar kohë, mund, sakrifica, lekë, për të mbaruar universitetin dhe në fund e gjithë kjo u kthehet në një “shuplakë” të pashpresë. Unë i njoh disa nga ata. Disa prej tyre janë rritur me ideale. Nuk dëshironin ta linin këtë vend. Dëshironin që kontributin e tyre për zhvillimin e vendit ta jepnin këtu. Por që realiteti i la të pashpresë. Disa prej tyre Ju votuan më qershor të 2013-ës. Votuan të “ardhmen”, që Ju u afruat Shqiptarëve për një jetë më të mirë.

Madje do t’Ju tregoj sesi nje i ri, mik imi, mori punë menjëherë në Gjermani, pasi tregoi dëftesën që kishte marrë në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Në Shqipëri, ai, për tre vite me radhë trokti në çdo derë, por që asnjëherë, askush, nuk ia hapi.

Nuk ka shumë kohë kur drejt Gjermanisë më iku një mik i ngushtë. E dini pse e bëri? Sepse Tirana as për kamarier s’ka më punë. E aty ku ka, të paktën e duan me tre vite eksperiencë. S’mund ta përballonte shkollimin, qiranë e fundmuajit, energjinë elektrike, ujin, të ushqyerit. Kjo sepse Greqia, në të cilën i punonte i vëllai “mbaroi”. Të atin ia nxorrën nga puna, sepse ndryshuan pushtetet në 2013-ën. Kështu që mbeti pa të “ardhme” këtu.

Shkaqet e lartpërmendura ishin arsyet edhe pse Sajmiri ( i fejuari i vajzës nga Kukësi që humbi jetën në Gjermani), që e njoh personalisht, vendosi të ikte drejt “shpresës”, sepse Shqipëria nuk mundi t’i ofronte dot një jetesë normale, një shtëpi ku të mund të jetonte i qetë, një punë dhe mundësinë për të krijuar familjen e tij. Kam një mik tjetër, jetim. E ema e tij nuk mund të punojë për shkak të një sëmundjeje. Paratë që merr ajo nënë si pension, nuk i mjaftuan që të birit t’i ofronte një shkollë. E ai vendosi të bënte çfarw do pune, për rreth 3 vite, por që asnjëherë nuk mundi të vendoste diçka menjëanë. Iku në Gjermani për një qëllim. Të gjente mundësinë e të bënte ca para për të paguar lekët e ushqimeve që ka marrë me listë tek dyqani i lagjes.

Z. Kryeministër, problemi me ne është se asnjëherë nuk e pranojmë realitetin. Për faj të kësaj Ne asnjëherë nuk do të punojmë për zgjidhjen e problematikave që kemi, sepse nuk i pranojmë. Pikë së pari duhen pranuar, pastaj të punohet për to.
Kjo ikje është shumë e rrezikshme, por të gjithëve atyre që kanë ikur s’kemi askush kurajo t’u themi KTHEHUNI. Edhe pse vendi i “shpresës” po i kthen çdo ditë, sepse nuk dëshiron emigracion rrëmujë dhe për arsye mbijetese, ne të kemi kurajon t’i pranojnë se janë njerëzit tanë. Eshtë ai shoku im, ai komshiu, ajo shoqja e klasës…Ata z. Kryeministër ata, për të cilët Ju fola më lart. Nuk janë grekë këta, që u kthyen në Rinas. Në fund të fundit, pse nuk i kthyen në Athinë, por në Tiranë? Por ata prapë do tentojnë, mos kujtoni se erdhën me besim të rikthyer nga ligjeratat që nuk mbushin boshllëqe. Unë nuk kam kurajo t’u bëj moral të kthejnë mendjen. Nuk kam fuqi t’ua kundërshtoj ikjen. Do të bëni gjë Ju për ta? Apo do t’i lini t’i ngjiten malit, të kthejnë emrin në grekë, të marrin nënshtetësi tjetër? Jeni në gjendje t’ua ndryshoni mendjen? Apo do të përballen me veç borxhe, papunësi, varfëri, apo me ftesën e marrjes së teserës së partisë. Unë ndihem fajtor ndaj tyre. Edhe një bashkëmoshatar me të cilin po ndanim ide të njëjtë, ndihej fajtor. Po Ju ndjeni ndonjë fije faji? Po të kundërtit Tuaj politikë, ndihen fajtorë? Apo për Ju, gërr-mërret që kanë qëllim mbretërimin në Shqipëri, janë e vetmja çështje që Ju bën zhurmë në vesh. Veç edhe ekzistenca ka ligjet e saj të kompensimit. Ikja e mijëra shokëve të mi, do të vijë dita, që do të kushtoje…Se çfarë, nuk dua ta artikuloj…Edhe pse e kam një ide….

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: