Te Dinamo kanë qenë pushim përgjatë këtyre ditëve, teksa së shpejti Ilir Daja do t’i thërrasë të gjithë për të nisur përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Konferencës. Periudha është e tillë që Europa të luhet në periudhë merkatoje dhe te Dinamo kjo e fundit po “zien”, sidomos në dalje.

Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela janë dy lojtarët më të shtrenjtë të kampionatit dhe me siguri edhe më të kërkuarit në merkato. Klube të ndryshme nga Polonia, Bullgaria, Rusia apo Ukraina kanë hedhur “radarët” përreth Dinamos dhe janë gati të hedhin shifra të mëdha parash.

Nga ana tjetër, Dinamo ka nisur punën për t’i zëvendësuar, një mision që duket se po bëhet më i vështirë seç pritej të ishte. Blutë deri më tani kanë parë disa profile me Dajën, të cilit ende nuk i është mbushur mendja për ndonjë lojtar që mund të mbulojë hapësirën e kësaj dysheje.

Tregu mbarëshqiptar është fokusi kryesor, por deri më tani nuk është pikasur ndonjë emër konkret, aq sa për të nisur negociatat. Nga ana tjetër, heqja e limitit për të huaj, i shtyn blutë të kërkojnë për opsione edhe në tregun e huaj, ku vështirësia për të goditur në shenjë është shumë e madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb