SHKUP- Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev deklaroi sot se nuk njeh gjykatat në Maqedoni. Zaev, lideri i partisë më të madhe opozitare LDSM (Lidhja Social Demokrate Maqedonase) tha në një konferencë me gazetarët se nuk njeh sistemin aktual të gjyqësorit në Maqedoni, që siç tha ai është nën kontroll të Nikola Gruevskit.
“Dua të njoftoj se nuk do të marrë pjesë në seancat e caktuara gjyqësore dhe se nuk do të paraqitem në gjykatë. Me këtë komunikim timin, gjykata është e obliguar që të shqiptojë masën e paraburgimit dhe të më privojë nga liria”, deklaroi Zaev, i cili akuzohet për spiunim dhe bashkëpunim me shërbime të huaja në rastin “Puç”, pas atakuzës së bërë nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë.
Zaev deklaroi sot se pret që këtë javë të ndodhë arrestimi i tij, raporton INA. “Unë jam në hapësirat e SDSM-së apo në kampin para Qeverisë me qytetarët. Ky është kulmi i absurdit të akuzës së porositur nga Nikola Gruevski dhe e zbatuar nga prokurori publik Marko Zvrlevski. Gjykata nuk ka dhënë asnjë arsyetim për rastin”, deklaroi Zaev.

Deklarata e tij vjen pasi Gjykata Penale pranoi aktin e akuzës për rastin “Puç” dhe hodhi poshtë ankesën e avokatëve mbrojtës. Lideri i SDSM-së, Zoran Zaev bëri thirrje që deri në fund të javës të arrihet marrëveshje politike.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: