TIRANË

Gjyqtari i lartë Xhezair Zaganjori ka dalë sot në Kolegjin e Posaçëm të Ankimimit ku Komisioni Publik ka dhënë argumentet për ankimimin e vendimit të KPK.

Zaganjori, kreu i Gjykatës së Lartë doli në KPK në 24 korrik të vitit të kaluar duke kaluar me sukses vettingun dhe procesin e rivlerësimit, por me rekomandim të ONM të cilët nuk ishin dakord për konfirmimin e tij në detyrë, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK dhe ka kërkuar shkarkimin e Zaganjorit.

Në seancën e sotme, Komisioneri ka dhënë argumentet për ankimimin e vendimit. Sipas KP, gjyqtari Zaganjori s’ka burime për ta justifikuar pasurinë dhe në deklaratat vjetore, ka vlera më të ulëta sesa realja.

“KPK ka bërë interpretim të gabuar të ligjit me rastin e Zaganjorit. Subjekti i rivleresimit ka katër pasuri në zotërim. I ka në bashkëpronësi me bashkëshorten. Zaganjori ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe nuk ka burime të mjaftueshme financiare për ta justifikuar atë.

Në deklaratat vjetore ka deklaruar vlera më të ulëta sesa realja. Ndërsa në deklaratën e vettingut vlera e pasurive është më e lartë. Pra ka pasaktësi. Pasaktësitë në vlera reflektohen edhe në kontratat e shitjes, në të cilat vlera për apartament është 500 mijë lekë. Për dyqanin është përcaktuar 125 mijë lekë dhe vlera për bodrumin, 125 mijë lekë dhe për zyrën 125 mijë lekë. Nga aktet në dosje, nuk provohet burimi i ligjshëm për vënien e këtyre pasurive. Sa i takon transfertave monetare nëpërmjet bankës, nuk provohen një pjesë e tyre. Nuk ka paraqitur dokumentacion provues për barrën e provës dhe justifikimet e tij ngelin në nivel deklarativ. Në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të të ardhurave për krijimin e pasurive të sipërcituara janë të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër, të ardhura personale dhe të ardhura nga qiraja”, ka deklaruar Komisioneri Publik.

(BalkanWeb)

.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb