Armët e gjahut i janë bërë për skrap ndërsa zagarët kanë humbur instiktet vitet e fundit. Dalip Bejo gjuetar qysh në vitet ’70 rrëfen sa i mungon pasioni më i madh që ka në jetë e që shteti ka shtatë vite që ia ka ndaluar.

“Më ka shkurtuar dhe vitet e jetës kjo. Unë e kam pasion, unë e kam të trashëguar nga familja, as çiften në krahë nuk hedh dot. Zagarët janë si sportistat po nuk dolën në stervitje mbarojnë, ata kanë mbaruar si zagarë, të kalohet ligji, të hapet rruga e ligjshme. Unë nuk fitoj, unë e kam pasion. Jemi të ligjshëm, ne mbrojmë dhe e shtojmë faunën”, -tha ai.

Federata Kombëtare për Gjuetinë dhe Konservimin ka kërkuar heqjen e moratoriumit, që i ndalon ata të gjuajnë kafshë dhe shpendë deri në 2021.

Te mërkurën një përfaqësi ka dorëzuar 20.000 firma që kërkojnë miratimin në Parlament të projektligjit që vetë kanë prezantuar para Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese tre vjet më parë si dhe çeljen e menjëherëshme të aktivitetit të gjuetisë nën monitorim dhe drejtim të shoqatave të gjuetarëve.

Themi Perri, kreu i Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti shprehet se për vite me radhë është abuzuar duke sjellë dëme të mëdha.

Sipas Federatës së Gjuetarëve, nëse ky sektor do të monitorohet dhe kontrollohet në mënyrë korrekte, atëherë do t’i sjellë buxhetit të shtetit miliona euro në vit.

Aktualisht në vendin tonë janë rreth 150 mijë armë gjahu dhe 12-13 mijë gjuetarë të licencuar, numër i cili sipas kreut të federatës, Themi Peri, nuk duhet të rritet për arsye se kjo është e mjaftueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb