Videoja e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, që shfaqej duke konsumuar kokainë, është bërë temë debati në emisionin “Real Story”, në News24.

Të ftuarit në studio, Aleksandër Furxhi dhe Eduard Zaloshnja, mendojnë se vitet e fundit partitë politike kanë pasur tendencë t’iu besojnë pushtetin lokal “të fortëve”.

Por, për ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, “të fortët” janë arrogantë dhe përçojnë energji negative, ndaj dhe sipas tij, njerëzit nuk i votojnë.

Pjesë nga diskutimet:
Furxhi: Përderisa në vende si Shkodra, Vora, Vau i Dejës, Mallakastra janë bastione të PD, kjo flet, për atë se si do të mposhtej kundërshtari në zona, ku nuk ka pasur zgjedhje, por i vendos “i forti” i lagjes. Kjo tregon se pesë vitet e fundit dy partitë kryesore të ballafaqohen dhe të ndeshen me muskuj dhe jo me njerëz që kanë kapacitete për të drejtuar. Ata i kishin ipotekuar vendet, ku s’do të kishte garë, i kishin parashikuar që më parë, se kush do të jenë njerëzit që do kandidojnë. Në rastin e Shkodrës, PS është mashtruar nga individi. Kam informacion që ai individ, pasi kishte kaluar disa filtra, kishte punuar në administratë, kishte kaluar disa filtra dhe mendonte se e shkuara e tij nuk do të zbulohej. Pra, PS është mshtruar.

Zaloshnja: Gjithë historia elektorale ka treguar se fitorja e një njësie të vogël është premisë për të fituar dy vite më pas partia në zgjedhjet lokale, pra shërben si trampolinë. Në fund të fundit, për katër mandate u bë fjalë në zgjedhjet e fundit.

Manjani: E kam bindje që asnjë parti nuk fiton me “të fortë”, në rezultat e kam fjalën.

Zaloshnja: Nëse partia në pushtet fiton një komunë, që nuk e kishte pasur, rritet probabiliteti, që të fitojë më shumë vota në atë komunë apo qytete të vogla. Për qytete të mëdha nuk ekziston ky korrelacion.

Manjani: “Të fortët” provokojnë arrogancë në komunitet dhe njerëzit nuk janë budallenj. Njerëzit reagojnë kundër “të fortit” dhe sa më shumë të përcaktohesh me “të fortin”, aq më keq. “I forti” është arrogant, emeton energji negative.

Zaloshnja: “Të fortët” mund të jenë pas tyre, se “të fortë” si Vangjushi s’ka qenë ndonjë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb