Prej disa javësh IKMT-ja po vijon prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e “5 Majit” për t’i hapur rrugë ndërtimit të disa pallateve, ku do të strehohen edhe të dëmtuarit e tërmetit të vitit 2019.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë vendosur që të gjithë banorët që kanë ndërtuar në atë zonë, përfshi edhe ata pa leje, do të marrin të njëjtin sipërfaqe prone, tashmë në pallat.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është rikthyer kësaj teme, teksa ka zbuluar për herë të parë edhe se kush është pronari prej shumë brezash i asaj toke, të zënë tashmë nga ndërtimet pa leje.

“Ishte shumë e dhimbshme të shikoja në Parlament, se si zhvillohej një debat për zaptimin e pronës dhe Komisionin e drejtonte një gocë tironse si Klotilda Ferhati, te cilës ia kanë zaptuar tokën e babës, por ajo nuk e tha kurrë këtë. I dëgjoi me durim. Keni zaptuar, e kuptojmë, sepse kanë qenë ditë të vështira. Ke marrë 500 metra, sot do marrësh po 500 metra, sepse ky qytet është zemërhapur për të gjithë”, tha Veliaj sot, teksa merrte në prezantimin e librit të gazetares Rezarta Delisula “Çfarë ka qenë Tirona”, jë botim i rëndësishëm, me fakte e dokumente origjinale për historinë e Tiranës.

“Pyetja që kam unë është: si nuk zaptoi një tirons një milimetër. Si nuk zaptoi një njeri? Kurrë te koshiu i tij, kurrë te toka publike. Kur ne insistojmë që personat që i bashkohen kësaj zemre të madhe duhet të bëhen tironsa, nuk është puna tek aksenti, se nuk të bën vetëm gjuha, por rregullat e bashkëjetesës, rregullat e komunitetit, rregullat e solidaritet, rregullat e fqinjësisë së mirë”, vijoi më tej Veliaj.

Në librin me 452 faqe, Delisula përcjell përmes dokumenteve osmane, kontributin e popullsisë vendase në ndërtimin e institucioneve arsimore, si dhe detaje e kuriozitete të panjohura më parë mbi funksionimin e qytetit dhe jetesës së asaj kohe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb