Biznesmeni Ervin Braho është shpallur në kërkim, pasi tentoi të korruptojë një gjykatëse në Tiranë. 41-vjecari është kallëzuar nga gjyqtarja e Gjykatës Administrative në Tiranës, Selvije Gjonçaj, menjëherë sapo biznesmeni ka lënë një zarf me para në tavolinën e punës së saj. Policia e Shtetit është vënë në kërkim të biznesmenit dhe nëse nuk bëhet i mundur arrestimi i tij, atëherë Prokuroria për Krime të Rënda do t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për masë sigurie.

Braho ka bërë një padi në Gjykatën Administrative, sepse Ministria e Ekonomisë ka prishur një kontratë ku kompania e tij “ALBANIAN HIDROPOWER 2013” ishte përzgjedhur mes edhe disa kompanive të tjera për ndërtimin e një HEC-i mbi lumin MAT. Me qëllim që çështja të zgjidhej në favorin e tij, ku kërkonte dëmshpërblim me arsyetimin se kontrata ishte zgjidhur në mënyrë të njëanshme, ai i ka hyrë në zyrë gjyqtares së çështjes, Selvije Gjonçaj dhe i ka lënë një zarf me 500 mijë lekë. Gjykatësja i ka kërkuar të marrë zarfin dhe të largohet, por ai është larguar nga zyra pa i marrë paratë. Gjykatësja ka njoftuar policinë dhe prokurorinë dhe në kushtet e emergjencës është bërë shpallja në kërkim e biznesmenit, i cili ende nuk është arrestuar.

PAMJET FILMIKE
Nga pamjet filmike të sekuestruara në Gjykatën Administrative, shfaqet biznesmeni duke hyrë e duke dalë nga zyra e gjykatëses. Madje në një moment shfaqet edhe sekretarja e gjykatëses e cila para hetuesve ka thënë se ka dalë për t’i kërkuar biznesmenit të merrte mbrapsht zarfin. Ervin Braho pak kohë më parë i ka shpëtuar një atentati me eksploziv në Pogradec. Prej shumë vitesh ai operonte me dy kompani në fushën e ndërtimit të HEC-eve.

ATENTATI NDAJ BRAHOS
Biznesmeni i hekurit, Ervin Braho, 41 vjeç, i ka mbijetuar një atentati me eksploziv rreth 7 vite më parë, më 25 maj të 2009-ës.
Automjeti i tij ka shpërthyer ka shpërthyer nga poshtë, duke i sjellë dëmtime serioze Brahos në pjesën e këmbëve. Pista kryesore e hetimeve të asaj kohe ishte konkurrenca.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb