Nga LORENC RABETA*
TIRANE – Pas urdhrit të qeverisë për evidentimin në terren të të gjitha zonave informale, ALUIZNI ka zbardhur 60 zonat informale të përfshira zyrtarisht në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje në Tiranë, Durrës e Kavajë. Të tëra zonat të marra së bashku zënë një sipërfaqe totale prej 8.830 hektarësh. Zbardhja e këtyre zonave u bë pas një vendimi të qeverisë që mban datën 10 shtator 2014, ku përcaktoheshin procedurat e “evidentimit faktik në terren të ndërtimeve pa leje, shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”. “Drejtoritë në varësi të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) duhet të kryejnë procedurat e evidentimit në terren, të përgatisin dokumentacionin e gjendjes faktike të ndërtimeve informale, si dhe të hartojnë dokumentacionin teknik e ligjor për zonën informale”, përcakton vendimi i qeverisë.
Afati i fundit
Sipas të dhënave zyrtare të AUIZNI-t, aktualisht në vend numërohen rreth 300 mijë objekte informale në pritje të procesit të legalizimit. Gjatë këtij viti, ALUIZNI ka mundur të fusë në procesin e matjes rreth 57 mijë objekte, ndërsa për 12 mijë banesa ka përfunduar procesi i legalizimit. Ndërkaq, janë 352 subjekte të skualifikuara për shkak të ndërtimit të veprave publike. Gjatë muajve të fundit, zyrtarë të ALUIZNI-t kanë përsëritur disa herë nëpër media se afati i vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje do të përfundojë më 31 dhjetor 2014 dhe se ky do të jetë shansi i fundit për legalizimin e objekteve informale. Po ashtu, Agjencia u ka kujtuar të gjithë të interesuarve se, kush nuk zotëron një kopje të vetëdeklarimit të kryer vite më parë, duhet t’u drejtohet zyrave të saj për të verifikuar dosjet.
Tarifat e reja
Ajo që vlen për t’u përmendur është se Këshilli i Ministrave ka dyfishuar tarifat e shërbimit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje nga 4 mijë lekë në 8 mijë lekë për kat ndërtimi. Përmes një vendimi, Qeveria miratoi një seri ndryshimesh në procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke përcaktuar gjithashtu se pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 45 ditëve, nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t. Tarifa e re e shërbimit do të aplikohet vetëm te shtëpitë e dyta dhe objektet me funksion biznesi, ndërkohë që penalitetet për shtesat në ndërtimet me leje do të përllogariten sipas kostove mesatare në ndërtim të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave. Ndërkaq, taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për sistemin e taksave vendore”.


(ar.sh/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb