Nga Klodiana Lala

Dalin në dritë të tjera përgjime që rëndojnë pozitën e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Bisedat e përgjuara janë pjesë e dosjes së dytë prej afro 2 mijë faqesh të mbërritur nga Guardia di Finanza në kuadër të hetimit që prokuroria ka çelur ndaj ish-ministrit.

Nga dokumenti rezulton se Tahiri, përmendet në tre përgjime, nga Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij në trafik, të cilët flasin hapur për dhuratat që ish-ministri ka pranuar prej tyre.

Këtyre provave të reja, iu referohet gjykata për Krime të Rënda, e cila vendosi të caktojë edhe masën shtrënguese për ish-ministrin e Brendshëm.

Gjykatësja Liljana Baku vendosi t’i bllokojë pasaportën të dyshuarit Tahiri, duke i kufizuar lëvizjen jashtë vendit, pas dyshimeve se mund të arratisej, nisur nga fakti që ai udhëtoi jashtë vendit, pak javë më parë.

Referuar dosjes konkretisht emri i ish-ministrit të Brendshëm përmendet në përgjimet e datës 10.10.2014 si dhe në dy përgjime të datës 13.01.2014.

Në orën 22:34 minuta, të datës 13 janar 2014, brenda automjetit tip “Mercedes Compressor” me targë IHP 26 90 në përdorim nga shtetasi Moisi Habilaj, është përgjuar biseda mes Enea Sulajt dhe një burrë shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Makina thuhet në dosje, ishte në lëvizje.

Enea i shpjegon bashkëfolësit se bashkë me Moisi Habilajt, shkuan në një dyqan në Catania, menaxherin e të cilit ja kishte prezantuar Antonio Riela dhe më poshtë flitet sa Tahirit i kishte pëlqyer kostumi.

Enea Sulaj: Kur shkova atje më thoshte pronari, sepse kishte folur me Saimirin, që i kishte kështu…kostumin. Më tha zgjedhjet, por unë e kuptova sikur po thoshte leksionet.

Ndërsa ata me zgjedhje quajnë votimet. Dhe ai më tha, po zgjedhjet mirë? Dhe unë i thashë …po çfarë të tha që shkojmë në shkollë. Çfarë i the? Dhe ai më thoshte, po jo, jo, flet meqenëse ka folur me Saimirin dhe po pyet për zgjedhjet. Dhe unë i thashë, kam një lëmsh. I kanë vjedhur të gjithë votat.

Kështu fillova të flisja për politikë më atë…dhe Moisiu me thoshte, lërë këtë muhabet, sepse sikur të vijë ai, sepse e ka mbajtur numrin (aludon për faktin se Saimiri e ka ruajtur numrin e pronarit të dyqanit). Sikur të vijë për të blerë, sepse i kishte pëlqyer (kostumi).

Më tej, Enea i rrëfen bashkëbiseduesit për dhuratën që Moisi Habilaj, i kishte bërë bashkëshortes së Tahirit.

Enea: E more vesh çfarë i ka blerë bashkëshortes së atij? Një gjerdan që kushton 15 mijë euro.

Burri: Po çfarë po thu?

Enea: Tani për tani që u nis…përveç parave….

Burri: Kostumit dhe….

Enes: Jo, jo

Burri: Nuk jep asgjë për bashkëshorten

Enea: Përveç Sokolit që i mori paratë për punën, Saimiri nuk donte para.. Është e qartë…(fjalë të pakuptueshme) dhe i dha gjerdanin me diamante.

Përgjime mjedisore brenda automjetit tip BMV 320 me targë BZ 140 JR, në përdorim nga shtetasi Maridian Sulaj. Biseda është përgjuar në orën 06:46, datë 10.10.2014, ndërsa automjeti ishte në lëvizje.
Maridian Sulaj komenton me Avdul Sulajn dhe Klajdi Sulajn, i thirrur Mili, si edhe me një burrë shqiptar, për targat aktuale shqiptare.

Maridian: Presidenti e ka 01, kryeministri e ka 02…..03, pra është “Audi” që ka Artani…që e kishte ai…kushëriri ynë…vetëm ata e kanë.

Avdyli: E mirë janë targa të veçanta

Maridian: A targa të veçanta… (fjalë të pakuptueshme) 03 e ka Artani që ia ka dhënë ai…

Burri: Cili Artan?

Maridian: Ishte i kushëririt tonë, ai, kryeministri vëlla… si quhet? Çfarë është tani ai.

Maridian: Po ai është ministër i Brendshëm.

Avdul: Targat e qeverisë, u hiqen makinave të qeverisë kur shiten.

Maridian: Po ai ia ka dhënë Artanit me gjitha dokumentet, ta marrë dreqi! Çfarë thotë ky, shiten. Ua heqin, është e tij personale o vëlla.

Për “Audi”-n që Tahiri u shiti Habilajve, flitet edhe në një tjetër bisedë të përgjuar mes Enea Sulajt dhe burrit të paidentifikuar.

Burri e pyet Enean, nëse Moisiu, ka ndërmend të shesë “Audi”-n.

Enea i përgjigjet me pyetje: “Audi”-n? Jo, të nuk e shet… në fillim do të bëjë detyrën Saimiri dhe pastaj ….Saimiri ja ndryshon “S”… merr ndonjë tjetër për të marrë.

Enea vijon më tej, duke u shprehur se makina është e shtetit. Në vendim theksohet se bëhet fjalë për “Audi”-n A8 që Tahiri ua shiti Habilajve, por përgjatë muajve në vijim, ai udhëtoi me të në disa raste jashtë vendit.

Këto dhe dhjetëra përgjime të tjera, janë pjesë e dosjes voluminoze ndaj ish-ministrit, i cili dyshohet për akuzën e trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas ligjit, brenda pesë ditëve nga marrja e vendimit, Gjykata për Krime të Rënda, duhet të marrë në pyetje Saimir Tahirin.

faximile

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb