TIRANË

Zbardhen propozimet e grupit parlamentar demokrat për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Në dokumentin e siguruar nga “BalkanWeb” përfshihen katër alternativa të propozuara nga deputetët ose grupe interesi për sistemin zgjedhor.

“Në zbatim të metodologjisë për Reformën Zgjedhore dhe në përputhje me Kalendarin për temat që do të trajtohen, të miratuara nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, pasi u përmblodhën propozimet përkatëse të paraqitura deri më sot, Grupi Parlamentar ‘Demokrat’ paraqet propozimet e tij, në 4 (katër) opsione për sistemin zgjedhor”, thuhet në dokument.

Bëhet fjalë për këto alternativa:
1. Sistemi proporcional kombëtar – një zonë zgjedhore – kuvendi me 100/140 deputetë; (modeli i Kosovës). Ky opsion është propozuar nga deputeti Ralf Gjoni (Nisma Thurje) dhe deputeti Myslim Murrizi (me disa ndryshime të vogla midis tyre);
2. Sistemi proporcional rajonal, i korrektuar me listë kombëtare; Propozim i tre deputetëve;
3. Sistemi proporcional rajonal, me 12 njësi zgjedhore, të grupuara në 4 rajone zgjedhore;
4. Sistemi mazhoritar, i korrektuar me listë proporcionale kombëtare
Kujtojmë se dy ditë më parë u bënë publike propozimet e opozitës jashtë parlamentare për financimin e partive.

DOKUMENTI I PLOTË

Propozim: Për ndryshimin e sistemit zgjedhor
Në zbatim të metodologjisë për Reformën Zgjedhore dhe në përputhje me Kalendarin për temat që do të trajtohen, të miratuara nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, pasi u përmblodhën propozimet përkatëse të paraqitura deri më sot, Grupi Parlamentar “Demokrat” paraqet propozimet e tij, në 4 (katër) opsione për sistemin zgjedhor, si më poshtë vijon:

I
Opsioni i Parë: Propozuar nga deputeti Ralf Gjoni (Nisma Thurje) dhe deputeti Myslim Murrizi (me disa ndryshime të vogla midis tyre);

1. SISTEMI PROPORCIONAL KOMBËTAR – NJË ZONË ZGJEDHORE – KUVENDI ME 100/140 DEPUTETË; (Modeli i Kosovës)

EFEKTET KRYESORE:
a. Garantimin e të drejtës për të votuar dhe barazinë e votës për çdo shtetas shqiptar;

b. Krjimin e kushteve për një garë të barabartë dhe të ndershme mes subjekteve zgjedhore dhe rritjen e ofertës politike për zgjedhësit;

c. Heqjen e pengesave ligjore që kufizojnë të drejtën kushtetuese të voutesve për të zgjedhur në mënyrë direkte përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe në organet e qeverisjes vendore;

d. Demokratizimin e partive politike dhe stabilizimi i jetës politike të vendit. Garanton barazinë gjinore në Kuvend dhe në Këshillat Bashkiak nëse ndjekim sugjerimet e eskspertëve të ODHIR-it (1/3 kandidatë);

e. Përqindja e votës kombëtare në një parti përkthehet në përqindje të njejtë mandatesh në parlament.

** Zbatimi i këtij sistemi kërkon ndryshime në Kushtetutë.

II
Opsioni i Dytë: Propozim i tre deputetëve;
1. SISTEMI PROPOCIONAL RAJONAL, I KORREKTUAR ME LISTË KOMBËTARE;

Përbërja e Kuvendit nga 140 deputetë:
– 100 deputetë do të zgjidhen në 12 njësitë zgjedhore, korresponduese të 12 qarqeve. Numri i mandateve për çdo njësi zgjedhore do të llogaritet duke përdorur si kriter numrin e shtetasve të regjistruar në listën e zgjedhësve në njësinë zgjedhore përkatëse.

– Lista korrektuese kombëtare do të ketë 40 mandate, të përkthyera në 40 deputetë. Nga lista korrektuese kombëtare do të përfitojnë vetëm ato parti politike të cilat, në rang vendi, marrin jo më pak se 2.5% të të gjithë votave të vlefshme.

40 mandatet e listës korrektuese kombëtare ndahen në:
a. 10 mandate, të cilat ndahen midis dy partive të para, që kanë fituar më shumë vota në rang vendi;
b. 30 mandate, të cilat ndahen midis partive të tjera që kalojnë pragun 2.5%.
Ndarja e mandateve bëhet në përputhje me përqindjen e votave të fituara nga subjektet zgjedhore përkatëse. Mbetjet pas presjes dhjetore kalojnë në favor të partisë me numër më të madh të votave të fituara.

– Votimi do të bëhet me lista të hapura, me dy fletë:
– Fleta e votimit për njësinë zgjedhore (qarkun);
– Fleta e votimit për listën korrektuese kombëtare;

EFEKTET KRYESORE:
a. Çdo zgjedhës do të ketë të drejtën të shprehë preferencën e tij për jo më shumë se 5 kandidatë të listës shumemërore të subjektit zgjedhor për të cilin voton;
b. Në listën e votimit për njësinë zgjedhore dhe në listën korrektuese kombëtare, subjekti mund të vendosë edhe kandidatë të njëjtë;
c. Garantimi i votës së ccdo zgjedhësi, si e barabartë në fuqinë e saj për t’u konvertuar në mandat deputeti;
d. Aksesi i drejtëpërdrejtë i zgjedhësve për t’u përfaqësuar nga kandidatët e subjekteve zgjedhore që ata duan;

** Zbatimi i këtij sistemi kërkon ndryshime në Kushtetutë.

III
Opsioni i Tretë:

2. SISTEMI PROPOCIONAL RAJONAL, ME 12 NJËSI ZGJEDHORE, TË GRUPUARA NË 4 RAJONE ZGJEDHORE;

Rajoni Verior me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Kukës, Shkodër, Lezhë, Dibër; – 27 deputetë

Rajoni Tiranë me përbërje: Njësia Zgjedhore – Tiranë; – 34 deputetë

Rajoni Qëndror me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Durrës, Elbasan, Korçë, Berat; – 39 deputetë

Rajoni Jugor me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Fier, Vlorë, Gjirokastër; – 40 deputetë

KUSHTET:
– Votim me lista të hapura, me jo më shumë se 5 (pesë) preferenca;
– Koalicionet garojnë me listë të përbashkët;
– Pragu natyror.

EFEKTET KRYESORE:
– I jepet mundësi zgjedhësve për të zgjedhur kandidatin/tët që duan t’i përfaqësojnë ata, duke e bërë më reale demokracinë përfaqësuese;
– Afron zgjedhësin me të zgjedhurin, kandidatin;
– Përmirëson nivelin e përfaqësimit propocional politik në Kuvend;
– Ngushton mundësitë për mazhorancë qeverisëse njëpartiake;
– Krijon mundësi më të mira për votimin e emigrantëve;
– Përmirëson barazinë në fuqinë e votës, konvertuar në mandat Deputeti.

** Zbatimi i këtij sistemi mund të bëhet edhe pa kërkuar ndryshime në Kushtetutë.

IV
Opsioni i Katërt:
4. SISTEMI MAZHORITAR, I KORREKTUAR ME LISTË PROPOCIONALE KOMBËTARE

Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë:
– 100 deputetë zgjidhen në zona njëemërore, zgjedhje me një raund;
– 40 deputetë zgjidhen në bazë të votave të fituara nga subjektet në rang vendi;
– Pragu 2.5%.

Mandatet e listës propocionale ndahen:
– 10 mandate midis dy partive që fitojnë më shumë vota në rang kombëtar, dhe;
– 30 midis partive të tjera që kalojnë pragun.

Votim do të bëhet me dy fletë:
– Votë për kandidatin;
– Votë për partinë.

KUSHTET:
– Votimi në propocional bëhet me listë të hapur, me jo më shumë se 5 (pesë) preferenca.

EFEKTET KRYESORE:
– Krijon kushte për shfaqjen e efektit sinergjik pozitiv të dy grup sistemeve, mazhoritar dhe proporcional;
– Rrit efektin e parimit të demokracisë përfaqësuese – lidhjen midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit;
– Nuk e mundëson zbatimin e taktikave elektorale që gjenerojnë efektin “Dushk”;
– Krijon mundësi për qeverisje të qëndrueshme;
– Zvogëlon efektin e vendimmarrjes së lidership-it në hartimin e listës së kandidatëve.

** Zbatimi i këtij sistemi kërkon ndryshime në Kushtetutë.

RELACIONI SHOQËRUES

Gjykojmë se: Kodi Zgjedhor i miratuar me Ligjin Nr. 10019, datë 29.12.2008, edhe pse ka patur si argumenta dhe si synime:
a. Kufizimin e pushtetit të individëve të “fortë”;
b. Eliminimin e fenomentit ”Dushk” ;
c. Thjeshtimin e procesit të administrimit të zgjedhjeve dhe të votimit;
d. Shmangie e interferimit negativ të kandidatëve në procesin zgjedhor;
e. Uljen e kostos së procesit zgjedhor;
f. Krijimin e kushteve më të favorshme për votimin për gratë;

Nuk ka arritur rezultatet e premtuara 10 vite më parë. Ndërkohë që, në tërësi, ka rezultuar se, sistemi zgjedhor i përfaqësimit proporcional ka avantazhe të mëdha krahasuar me sistemin mazhoritar, në aplikimin e tij me skemën e listave të mbyllura partiake dhe me zona të vogla zgjedhore;

Jo vetëm kaq, por i kombinuar edhe me rrethana të tjera politike dhe sociale në vend, siç është kultura demokratike dhe institucionale brenda subjekteve politike, institucionet e dobëta, apo fuqia e krimit të organizuar, ky model zgjedhor ka krijuar edhe probleme të tjera serioze për zhvillimin e jetës politike të vendit.

Disa nga problemet që i shohim të lidhura me modelin zgjedhor aktual, dhe veçanërisht me aplikimin e listave të mbyllura partiake dhe zonat e vogla zgjedhore, po i rendisim më poshtë:

a)Pabarazia e votës;
Aktualisht, një deputet i Kukësit përfaqëson në Kuvend 27’036 zgjedhës, ndërsa një deputet i Dibrës përfaqëson 21’886 zgjedhës. Pra, 87 mijë zgjedhës në Kukës përfaqësohen nga tre deputetë, ndërsa në Dibër nga katër deputetë. Në fakt, nëse marrim mesataren 24’687 zgjedhës për një mandat, Dibra me 131’313 zgjedhës do të duhej të përfaqësohej në Kuvend nga pesë mandate, jo gjashtë siç ndodh realisht.

Kjo pabarazi është edhe më e madhe nëse krahasojmë numrin e mandateve për banorë. Në Tiranë, sipas censusit të fundit, ka një mandat në Kuvend për 26’328 banorë. Ndërsa në Gjirokastër, ka një mandat për 12’285 banorë. Pra, banorët e Gjirokastrës kanë një përfaqësim dy herë më të lartë për numër banorësh krahasuar me Tiranën.
Një fakt i tillë, ku vota e një banori të një qarku ka një peshë më të madhe përfaqësimi se vota e një banori në një qark tjetër, cënon parimin kushtetues të barazisë së votës, të sanksionuar në Nenin 45, pika 4 ku shkruhet “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.

b)Pabarazia në garën zgjedhore;
Kjo ndarje ka rritur artificialisht pragun elektoral në disa zona zgjedhore. Për ta ilustruar: megjithëse sipas Kodit Zgjedhor pragu elektoral është 3 për qind, në zonën e Kukësit ky prag është 34 për qind të votave, në Gjirokastër 21 për qind, në Dibër 17 për qind, në Lezhë dhe në Berat është 14 përqind.

Ky prag kaq i lartë krijon një barrierë thuajse të pakapërcyeshme për përfaqësimin e grupeve të caktuara sociale, veçanërisht minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara, të cilat nuk arrijnë dot të përfaqësohen në Kuvend.

Ky prag dekurajon kandidatët e pavarur dhe partitë e reja që të angazhohen në këto zona zgjedhore, duke bërë kështu që banorët e Kukësit dhe Gjirokastrës të prezantohen me një ofertë më të vogël politike se qytetarët e Tiranës, ku pragu elektoral është tre për qind.

Një masë tjetër që krijon kushte të pabarabarta në garim është edhe skema e financimit të subjekteve zgjedhore.
Kreu II i Kodit Zgjedhor përcakton rregullat e shpërndarjes së fondit nga Buxheti i Shtetit për zgjedhje, të cilat bazohen në rezultatin e subjektit zgjedhor në zgjedhjet e kaluara. Duke patur parasysh rëndësinë që kanë burimet financiare në informimin e zgjedhësve gjatë fushatës elektorale, bëhet e qartë se kjo skemë vendos në një pozicion të disavantazhuar subjektet e reja zgjedhore dhe kandidatët e pavarur. Gjithashtu, duke qenë se subjekti zgjedhor që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet e shkuara merr edhe një fond më të madh nga buxheti i shtetit, kjo e bën të vështirë garën mes subjekteve zgjedhore. Korrelacioni i drejtë mes shumës së shpenzuar në fushatën zgjedhore dhe rezultateve të subjektit në zgjedhje është konfirmuar në studime të ndryshme ndërkombëtare. Ndërkohë, në Shqipëri kaq i fortë është ky korrelacion, sa shpesh mund të gjesh rezultatin e zgjedhjeve jo duke numëruar votat, por duke renditur subjektet në bazë të fondeve të shpenzuara në fushatën zgjedhore.

Kjo pabarazi kufizon mundësinë e zgjedhësve për t’u informuar mbi alternativat politike, ç’ka dëmton kryesisht kandidatët e pavarur dhe subjektet e reja zgjedhore.

c)Deformimi i vullnetit të zgjedhësve;
Përveç pengesave artificiale që hasin subjektet zgjedhore për t’u përfaqësuar në Kuvend, ekziston dyshimi se dy subjektet zgjedhore që kanë hartuar Kodin Zgjedhor janë favorizuar padrejtësisht në garën elektorale, duke deformuar vullnetin e zgjedhësve.

d) Influenca politike e individëve të lidhur më botën e krimit;
Sipas studimeve mbi tipologjinë e grupeve kriminale në Shqipëri, është vërejtur një karakteristikë që veprimtaria e tyre është lokale, dhe e kufizuar brenda një territori të caktuar, ku ata ushtrojnë kontroll të plotë. Gjithashtu, është vërejtur edhe një tendencë e grupeve kriminale për të influencuar zgjedhjet, duke u angazhuar në orientimin e preferencave të zgjedhësve përmes intimidimit apo blerjes së votave.

Madhësia e zonës elektorale është e tillë që rrit peshën e votave të siguruara nga influenca e këtyre grupeve, në raport me numrin total të zgjedhësve aktiv në zonë. Për ta ilustruar këtë, le të supozojmë sikur një grup kriminal mund të arrijë përmes praktikave antiligjore të influencojë rreth 13 mijë zgjedhës në një qark. Ky numër korrespondon me 12 për qind të zgjedhësve në një qark, por me vetëm 0.8 për qind të zgjedhësve në nivel kombëtar. Me ndarjen aktuale të Shqipërisë në 12 zona zgjedhore, ky grup kriminal do të arrinte të kishte një deputet që përfaqësonte interesat e tyre në Kuvend. Ndërsa, me zgjerimin e zonës zgjedhore në një të vetme, i njëjti grup votash nuk do arrinte t’i siguronte këtij grupi as edhe një vend në Kuvend.

e) Cilësia e përfaqësimit në Kuvend dhe Këshilla Bashkiak;
Një problem tjetër që lidhet me aplikimin e listave të mbyllura është cilësia e përfaqësimit të zërit të qytetarëve në organin më të lartë qeverisës, siç është pushteti legjislativ. Përqëndrimi i pushtetit në duart e kryetarëve të partive për të përzgjedhur listat garuese në zgjedhje, por edhe renditjen e kandidatëve brenda tyre, duket se nuk ka funksionuar aq mirë sa pritej nga ata që promovuan këtë sistem zgjedhor në vitin 2009.

Në legjislaturën e shkuar (2013 – 2017) dyshohej se ishin mbi dhjetë deputetë të cilët kishin rekorde kriminale në të shkuarën, apo kishin lidhje me veprimtarinë kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në fakt, me hyrjen në fuqi të ligjit “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” – njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit – dorëzuan mandatin tri deputetë dhe e humbën mandatin katër të tjerë.

Gjithashtu, sipas monitorimit të bërë nga aktorë të shoqërisë civile, raportohet se të paktën 19 deputetë të legjislaturës së shkuar, nuk kanë folur asnjëherë në seanca plenare. Të dhëna të tilla vënë në dyshim serioz rolin që luajnë këta përfaqësues të qytetarëve, të cilët gjatë gjithë mandatit të tyre nuk e shohin asnjëherë të nevojshme të flasin në Kuvend për problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Kjo është një sjellje kryekëput e kundërt me rolin që Kushtetuta i ka dhënë deputetit, të cilit i kanë krijuar kushtet jo vetëm që të përfaqësojnë në Kuvend zërin e qytetarëve, por mbi të gjitha të luajë një rol aktiv në veprimtarinë ligjvënëse, duke inicuar ligje dhe amendamente ligjore.

f) Kufizimi i të drejtës për të zgjedhur dhe dobësimi i qytetarit;
Garimi i partive me lista të mbyllura për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet kolegjiale të qeverisjes vendore, bën që në fletën e votimit zgjedhësi të ketë mundësi të zgjedhë vetëm për partinë, pa patur mundësi të shprehë preferencat për kandidatin që do ta përfaqësojë. Për pasojë, ushtrimi i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur, është kufizuar në një proces indirekt, duke e kushtëzuar zgjedhësin që me votën e tij të mbështesë njëherazi edhe kandidatin e preferuar por edhe kandidatë të tjerë, të cilët zgjedhësi nuk do të preferonte t’i mbështeste.

Kjo pamundësi e zgjedhësit për të përcaktuar se kush ka më tepër përparësi për të hyrë në Kuvend, ka dobësuar lidhjen direkte mes zgjedhësit dhe të përzgjedhurit të tij, duke dobësuar kështu peshën politike të qytetarëve.

g) Dekurajimi i qytetarit për të marrë pjesë aktivisht në jetën politike të vendit;
Duke marrë parasysh argumentet e artikuluara më sipër, bëhet e qartë se garimi në zgjedhje me lista partiake të mbyllura, ka dobësuar lidhjen e përfaqësuesit me elektoratin, duke forcuar lidhjen e tij me kryetarin e partisë. Për pasojë, është vënë re se lidhja e qytetarit me përfaqësuesit e tij në Këshillin Bashkiak apo në Kuvend është zbehur deri në pikën që një pjesë shumë e madhe e qytetarëve nuk ndihen më pjesë e vendimmarrjes në qytetin dhe në vendin e tyre.

Gjithashtu, siç u artikulua edhe më sipër, listat e mbyllura i lënë zgjedhësit dy zgjedhje: ta pranojë ose ta refuzojë en bloc për listën e paraqitur nga partia garuese në zgjedhje. Për pasojë, ky limitim i mundësive për të zgjedhur, si dhe zbehja e lidhjes së qytetarëve me përfaqësuesit e tyre, mund të ketë ndikuar në uljen e numrit të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Në zgjedhjet e fundit për Kuvend, pjesëmarrja në votime ishte më pak se gjysma e popullsisë (46.4 për qind). Një rezultat i tillë vë në pikëpyetje legjitimitetin e një Kuvendi, i cili përfaqëson më pak se gjysmën e popullsisë.

h) Prishja e raporteve të forcës brenda partisë politike dhe destabiliteti politik;
Partitë politike në Shqipëri nuk kanë një kulturë demokratike të zhvilluar dhe organet e brendshme qeverisëse i kanë tepër të dobëta. Për këtë, mjafton të shohësh se kryetarët e partive ose qëndrojnë në krye pa zhvilluar fare zgjedhje, ose zhvillojnë zgjedhje ku ata janë kandidatë të vetëm, ose zhvillojnë zgjedhje ku ata fitojnë me 93 për qind të votave.

Në këto kushte, vendimmarrja për hartimin e listës garuese në zgjedhje de facto është një vendim i kryetarit të partisë. Duke qenë se votuesi nuk ka mundësi të përzgjedhë brenda listës garuese të partisë, kryetari është vendimtar në caktimin e deputetëve. Që në zgjedhjet e para me këtë sistem zgjedhor, është vënë re se kandidatët e renditur të parët në listat garuese të partive të mëdha kanë rezultuar në 100 për qind të rasteve fitues në zgjedhjet për Kuvend.

Kjo forcë e kryetarëve të partive për të “emëruar” deputetët i ka bërë ata tepër të fuqishëm brenda partisë, pasi përmes renditjes në listat garuese, ata kanë në dorë karrierën politike të deputetëve. Nuk është rastësi që në dy legjislaturat e fundit ata pak deputetë që janë shprehur publikisht kundër kryetarit të partisë së tyre, nuk janë futur më në listat garuese të zgjedhjeve pasuese.

Kur partia është në opozitë, ky përqëndrim pushteti në duart e kryetarit mund të nxisë destabilitetin politik. Aftësia “disiplinuese” e kryetarit të partisë minimizon rezistencën e deputetëve, duke i detyruar ata të ndjekin vendime ekstreme që shkojnë kundër bindjes dhe interesit të tyre. Një rast i tillë mund të jetë rasti i vitit 2019 ku dhjetra deputetë të opozitës, megjithëse shpreheshin kundër këtij akti, iu bindën “kërkesës” së kryetarit të partisë për të dorëzuar vullnetarisht mandatin. Një sjellje e tillë krijoi një krizë politike në vend, duke vënë në rrezik funksionimin normal të demokracisë në Shqipëri.

Fakti që një sjellje e ngjashme është vënë re edhe në dy legjislaturat e shkuara, ku deputetët e opozitës refuzonin të pranonin mandatin e deputetit, apo refuzonin të votonin ligjet me rëndësi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, tregon se më shumë se sa një rast i izoluar i një subjekti politik, kjo sjellje është pasojë e disa raporteve të forcës, ku deputetët “disiplinohen” nga kryetari i partisë, pa patur mundësi të ushtrojnë lirisht përgjegjësitë e tyre kushtetuese.

Nga ana tjetër, kur partia është në pushtet, ky përqëndrim vështirëson funksionimin demokratik të shtetit, duke cënuar parimin e ndarjes së tri pushteteve. Kushtetuta e Shqipërisë ka krijuar një arkitekturë shtetërore ku partia që ka shumicën në Kuvend, arrin të kontrollojë të paktën dy pushtete të qeverisjes: Ekzekutivin dhe Legjislativin. Mirëpo, kontrolli i kryetarit të partisë mbi shumicën në Kuvend, paraqet një sfidë serioze për funksionimin e demokracisë në vend.

i) Pesha e ulët e grave në Kuvend dhe Këshilla Bashkiak;
Megjithëse janë ndërmarrë disa hapa pozitiv për të garantuar përfaqësimin e grave në Kuvend dhe në organet kolegjiale të qeverisjes vendore, sërish numri i tyre mbetet i ulët. Në Kuvend, aktualisht janë më pak se 30 për qind gra, ndërsa nëpër Këshilla Bashkiak kjo përqindje varion. Sipas Indeksit Kombëtar i Pjesëmarrje së Grave në Zgjedhje, botuar nga UN Ëomen, rezulton se gratë në Shqipëri ende hasin vështirësi të mëdha për t’u zgjedhur. Këto vështirësi janë social-kulturore, por janë edhe sistemike. Ekspertët analizojnë se është pikërisht fakti që karriera e grave politikane varet nga kryetari i partisë, që i kufizon hapësirën e tyre për të përfaqësuar zërin e tyre.

Gjithashtu, po të studiohen listat garuese të partive politike, vërehet se gratë tentojnë të renditet në pjesën e “pasigurtë” të listës, çka e ul probabilitetin që ato të zgjidhen në Kuvend. Për më tepër, media ka hedhur aludime për raste të veçanta ku kandidatet gra janë detyruar të heqin dorë nga mandati i deputetit për tua kaluar mandatin e tyre një kandidati burrë.

j) Influenca e interesave të caktuara ekonomike dhe dobësimi i forcës së shtetit;

Skema e kontrollit dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore për transparencë, janë të tilla që nuk e frenojnë dot financimin e zgjedhjeve nga burime të paligjshme, të cilat në të ardhmen kontribuojnë në influencimin e pandershëm të vendimmarrjes politike, dhe në hartimin e legjislacionit që shkon në kundërshtim me interesin e përgjithshëm shoqëror. Këtu mund të përfshihen ligjet dhe marrëveshjet e ratifikuara nga Kuvendi, të cilat favorizojnë aktorë të caktuar, duke dëmtuar konkurencën e ndershme në treg dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Në raste të tjera, kur burimi i parave është aktiviteti kriminal, kjo influencë e paligjshme mund të pengojë forcën shtrënguese të shtetit dhe fuqinë e tij në luftën kundër krimit të organizuar.

Për pasojë, perceptimi publik se Kuvendi vepron në kundërshtim me interesin e përgjithshëm publik dëmton në nivel gradual edhe besimin e shoqërisë tek institucionet në veçanti dhe tek demokracia në përgjithësi. Humbja e legjitimitetit të Kuvendit, i bën qytetarët më pak të motivuar për të reaguar kur një lider autokrat injoron ligjet e vendit, apo sulmon institucionin, duke krijuar kushtet për instalimin e një autokracie.

Si përfundim, zbatimi i këtij sistemi gjeneroi edhe një numër të konsiderueshëm pasojash me efekte të ndjeshme në funksionimin e demokracisë në vendin tonë. Ndër to mund të renditen:

– Përfaqësimi politik në Kuvend nuk i përgjigjej në mënyrë proporcionale vullnetit të zgjedhësve, një numër i konsiderueshëm i partive të vogla kanë mbetur jashtë Kuvendit;
– PD e PS kanë përfituar nga votat e partive të vogla, anëtare të koalicioneve përkatëse të udhëhequra prej tyre;
– Qeverisja është e qëndrueshme, por jo plotësisht efektive. Mazhorancat nuk kanë patur mundësi për kryerjen e reformave që kërkojnë 2/3 e votave në Kuvend;
– Votimi me lista shumëemërore të mbyllura praktikisht nuk i ka dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin kandidatin që dëshirojnë;
– Mandati i deputetit, për një numër të konsiderueshëm të tyre ka qenë rrjedhojë direkte e vendimmarrjes së lidershipit të partisë.

Në parimet themelore të Kushtetutës, të miratuar me referendum në 28 Nëntor 1998, përcaktohet se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit, i cili e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Në këto parime theksohet se baza e qeverisjes në shoqërinë tonë është sistemi i zgjedhjeve të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike.

Në këto kushte, ne vlerësojmë se, objektivi themelor i reformës zgjedhore që po realizojmë duhet të jetë garantimi dhe realizimi real dhe efektiv i parimit të sovranitetit të popullit.

Ne jemi të bindur se, pjesë e përpjekjeve të përbashkëta në kuadër të Reformës Zgjedhore duhet të jetë jo vetëm rregullimi i legjislacionit zgjedhor për të pasqyruar në të rekomandimet e dhëna në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, por edhe angazhimi ynë për të formuluar dhe marrë vendime për ndryshime ligjore që do të krijojnë kushte sa më të favorshme për funksionimin sa më efektiv të demokracisë përfaqësuese.

Kuadri ligjor aktual sipas të cilit zgjedhjet zhvillohen në përputhje dhe sipas kërkesave të sistemit propocional rajonal dhe votimit me lista shumemërore të mbyllura, vlerësojmë se janë ndër faktorët kryesorë që kanë patur si efekt të tyre zvogëlimin e hapësirave, deri në pamundësi, të realizimit të parimit kushtetues sipas të cilit: “populli e realizon sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur prej tij”.

Në ndryshimin e sistemit zgjedhor, edhe në rastin kur do të vendoset të votohet me lista shumemërore, votimi duhet të bëhet me lista të hapura.
Ne e konsiderojmë si një përgjegjësi dhe detyrim tonin për të mirërregulluar legjislacionin, me objektiv krijimin e kushteve për funksionimin efektiv të demokracisë përfaqësuese në Republikën e Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb