Zyrtari i shëndetit publik, Anthony Fauci, debatoi me një senator të martën për çështjen se kur duhen rihapur shkollat amerikane. Dr. Fauci pranoi se nuk është ai që thotë fjalën e fundit për vendime të lidhura me pandeminë, por paralajmëroi që të mos tregohemi shumë të bindur se rreziku është i vogël ndaj fëmijëve, pasi ende dimë shumë pak për këtë aspekt.

Një senator republikan, partia politike e Presidentit Donald Trump, vuri në pikëpyetje saktësinë e modelit që mat trajektoren e pandemisë.

“Megjithë respektin që kam për juve, Dr Fauci, nuk mendoj se jeni fjala e fundit. Nuk mendoj se ju jeni personi që merr vendimet. Ne mund të dëgjojmë këshillat tuaja, por ka njerëz nga ana tjetër që thonë se nuk do të ketë një rritje (të virusit) dhe se ne mund ta hapim me siguri ekonominë, dhe faktet e mbështesin këtë. Por nëse i mbajmë fëmijët jashtë shkollës edhe për një vit tjetër, ajo që do të ndodhë është se fëmijët e varfër që nuk kanë një prind në gjendje t’u japë mësimdhënie në shtëpi, nuk do të mësojnë për një vit të plotë. Dhe unë mendoj se ne duhet të shqyrtojmë modelin suedez dhe duhet të shohim si t’i lejojmë fëmijët tanë të kthehen në shkollë. Mendoj se është një gabim shumë i madh nëse nuk i hapim shkollat në vjeshtë”, tha Senatori republikan Rand Paul.

Dr. Fauci, i cili sapo kishte paralajmëruar ligjvënësit për rrezikun, reagoi duke vënë në dukje se ai është shkencëtar dhe flet vetëm për aspekte shkencore.

“Asnjëherë nuk e kam bërë veten të jem zëri i fundit dhe i vetëm në këtë. Unë jam një shkencëtar, mjek dhe zyrtar i shëndetit publik. Jap këshilla sipas të dhënave më të mira shkencore. Ka një numër njerëzish të tjerë që japin këshilla më shumë të lidhura me gjërat që përmendët, për nevojën për ta rikthyer vendin përsëri ekonomikisht. Unë nuk jap këshilla për gjërat ekonomike. Unë nuk jap këshilla për asgjë tjetër përveç shëndetit publik… Së dyti, duhet të jemi ‘modestë’ për ato që nuk dimë. Mendoj se nuk dimë gjithçka rreth këtij virusi. Dhe me të vërtetë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, sepse sa më shumë mësojmë, ne po shohim gjëra që mund të bëjë ky virus që nuk i kemi parë nga studimet në Kinë ose në Evropë”, tha Dr. Fauci.

Dr. Fauci përmendi rastet e një sindrome që mendohet se lidhet me koronavirusin dhe që ka vrarë të paktën tre fëmijë deri më tani në Nju Jork dhe ka dëmtuar dhjetëra të tjerë.

Sindroma ka simptoma të ngjashme me shokun toksik dhe sëmundjen Kawasaki, si temperaturë, acarime të lëkurës, fryrje të gjendrave, dhe në rastet më të rënda komplikacione të arterieve të zemrës./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb