Diskutimi i ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit nuk kaloi pa debate dje në Komisionin e Ligjeve.

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj u shpreh kundër këtyre ndryshimeve, duke abstenuar në votim. Ai tha se përfshirja e organeve të SPAK edhe në krimet zgjedhore mund të përbëjë një devijim të qëllimit, për të cilin janë ngritur këto institucione në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Xhafaj gjithashtu kërkoi që përfaqësuesit e SPAK të jenë më aktivë në diskutime të tilla, duke mos u “fshehur” sipas tij pas organit të Prokurorisë së Përgjithshme. Përtej kësaj, Xhafaj ngriti si shqetësim gjatë mbledhjes së Komisionit edhe mungesën e opinioneve nga institucionet në kuadër të procesit të Konsultimit Publik.

Në këtë pikë, ai gjeti edhe mbështetjen e socialistes tjetër, Vaislika Hysi, e cila theksoi se dërgimi i materialeve të Konsultimit në adresat elektronike të deputetëve për nisma të tilla ligjore është shumë i rëndësishëm edhe për shkak se ndërhyrjet në këto Kode në vitet e fundit kanë qenë të shpeshta.

Diskutimi u kalua nga kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, i cili saktësoi se materialet u ishin dërguar deputetëve vetëm në adresat zyrtare të Kuvendit dhe jo në postat elektronike private.

DEBATI NË KOMISION

Fatmir Xhafaj: I ndoqa me shumë vëmendje të gjithë kolegët që folën për ndryshimet, të cilat po shqyrtojmë në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal. Duke qenë se unë nuk do të votoj pro, por do të abstenoj për ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal si reflektim i vendimeve të të ashtuquajturit Këshill Politik, jam i mendimit që ato sjellin më shumë deformim të legjislacionit aktual dhe deformojnë qëllimin kryesor, për të cilin janë ngritur institucionet e SPAK, por edhe argumentet që sillen për këto nuk janë bindëse, vota ime është abstenim. Ka dy gjëra që do doja të sqaroheshin: A ka pasur vërtet një konsultim me këto institucione për këto ndërhyrje dhe cili është reagimi apo qëndrimi që ato kanë mbajtur? Dhe e dyta, unë shoh këtu sot përfaqësuesin e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, prokurorin e nderuar Luli, por nuk shoh asnjë nga përfaqësuesin e SPAK, të cilët do duhej të ishin shumë të interesuar për këtë gjë. Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të zëvendësojë rolin e tyre dhe ata nuk mund të vazhdojnë të fshihen mbas Prokurorisë në debate të kësaj natyre. Gjithsesi, nëse ky proces nuk është bërë, unë do të sugjeroja që do të ishte pozitive që miratimi të shtyhej për në një ditë tjetër.

Vasilika Hysi: Nëse do ishte e mundur, unë do doja që të na vihej në dispozicion nga sekretaria gjithë procesi i Konsultimit Publik. Këto janë nisma të rëndësishme dhe ndërhyrjet e shpeshta që po bëjmë në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale duhet të jenë të qarta, të sakta dhe të mos krijojnë problematika me ligjet e tjera, që ne kemi miratuar po në këtë Parlament.

Ulsi Manja: Të gjitha opinionet e ardhura nga institucionet që u jemi drejtuar, i keni në postën tuaj elektronike. Të gjitha sugjerimet që na kanë ardhur, ua kemi përcjellë, gjithsesi ne sot jemi për miratimin në parim të ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

Adnor Shameti: Në vijim të asaj që kërkoi z. Xhafa, do doja të sqaroja se, duke qenë që të gjitha materialet u janë përcjellë të gjitha autoriteteve, nuk shoh asnjë arsye për të mos e përfunduar sot procedurën. Ashtu siç ju e thatë më sipër, relatori z.Hyseni, mund të kryejë të gjitha konsultimet e mëtejshme të nevojshme dhe sigurisht që do jenë të mirëpritur edhe përfaqësuesit e SPAK, nëse do ta çmojnë të udhës për të marrë pjesë në këtë proces dhe për të dhënë qëndrimin e tyre.

Fatmir Xhafaj: Një pyetje kisha unë… Ne kemi të njëjtin email, apo marrim email-e të ndryshme, pasi edhe unë edhe zonja Hysi nuk e kemi marrë këtë dokument. Mbase, z.Shameti, për shkak të funksionit të tij në këtë proces tepër të rëndësishëm, ka marrë barrën e madhe ta propozojë, pa dyshim që mund t’i ketë materialet, e ka ketë këtë privilegj, por nga ne që nuk e gëzojmë këtë privilegj në burim, besoja se do ta shikonim në faqen e email, por unë nuk e shoh.

Adnor Shameti: Do t’i bëjmë share sa më parë

Ulsi Manja: Me sa më thonë nga sekretaria e komisionit, materialet u janë dërguar në email-in zyrtar të Kuvendit dhe jo në adresat tuaja private.

Fatmir Xhafaj: Por z.Shameti duhet të ketë më shumë informacion, përderisa e konfirmon…

Ulsi Manja: Këshilltarët më thonë që janë dërguar opinionet…

Fatmir Xhafaj: Po mirë, mbani një adresë, mos bëni 7 njoftime se shkaktoi konfuzion kot.

Ulsi Manja: E rëndësishme është që materialet në adresën zyrtare kanë ardhur dhe nuk mendoj, z.Xhafaj, se është problem thelbësor, për sa kohë…

Fatmir Xhafaj: Thelbësor është raporti me institucionet, nuk është email-i nga sekretarja

Ulsi Manja: Raporti me institucionet është perfekt z.Xhafaj, ato kanë sjellë opinione me shkrim që të gjitha. Ne u jemi drejtuar atyre zyrtarisht sipas të gjitha rregullave që janë të përcaktuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb